Kandidatja për deputete nga radhët e LVV-së, Donika Gërvalla, ka deklaruar se shumë shpejt do të konstituohen të gjitha institucionet, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Gërvalla është shprehur e sigurtë që në asnjë mënyrë gjatë katër vjetëve të ardhshme, nuk do të qeverisin me inate.
”Sot tingëllon vetëm si fjalë, por ne vërtetë jemi vendosur”, deklaroi ajo mes tjerash.
Ndërsa lidhur me çështjen e mundësisë që si subjekt i vetëm të arrijnë të kryesojnë edhe me postin e presidentit, kryeministrit dhe kryeparlamentarit, Gërvalla potencoi që shifrat janë të qarta për këtë.
”Për kryeministrin dhe kryeparlamentarin janë të qarta shifrat. Ndërsa sa i përket presidentit, nga të gjitha bisedat që kemi zhvilluar nuk ka arsye që të mos jenë 80 deputetë që të votojnë për Vjosa Osmanin presidente”, tha Gërvalla në Klan Kosova.
”Ne kur të vijë koha, ne do t’i kemi 80 deputetë. Do të ketë një përzierje e deputetëve që do të jenë të ulur aty në sallë. Ne nuk kemi hyrë për të qeverisur për të nxjerrë inatin ndaj askujt”.
”Mendoj që një ndër detyrat më sfiduese që kemi në këtë legjilaturë, është forcimi i rolit të Parlamentit”.
Derisa pozita e presidentit është një nga temat më të diskutuara mes subjekteve politike, ish-anëtarja e LDK-së, Donika Gërvalla, e quajti të pamoralshme insistimin e Ramush Haradinajt për postin e presidentit.