Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, po thotë se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, nuk pritet të hidhet në votim nga mekanizmat europian, para pranverës së vitit 2022.
Kjo sipas Gërvallës, meqë Franca ka zgjedhjet e saj dhe e njëjta ka një rol skeptik në këtë çështje.
”Çështja e liberalizimit të vizave është shtruar, dhe ka një unitet mes shteteve anëtare të BE-së me shumë pak përjashtime që Kosova më në fund jo vetëm që i ka përmbushur por i ka stërmbushur, ato kriteret të cilat duhet përmbushur për të marrë liberalizimin e vizave. Fatkeqësisht një gjë e tillë deri tani nuk ka ndodhur. Janë vendime individuale të shteteve anëtare. Ne duhet të bëjmë atë çfarë ne mund të bëjmë. Që ne kemi bërë progres të dukshëm në plotësimin e kritereve të parapara”.
”Ne do të lusim shtetet anëtare që në fund të gjendet një moment të vihet në votim me qëllim që të shohim se ku jemi dhe cilat shtete i kemi ende skeptike, por kjo është një çështje që për shkak të zgjedhjeve në vende të ndryshme. Gjermania sapo kreu zgjedhjet e veta, Franca ka zgjedhjet e veta në pranverën e vitit të ardhshëm, dhe unë do dëshiroja shumë por nuk besoj që para zgjedhjeve në Francë, të vihet në votim çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën në kuadër të mekanizmave europiane”, tha ajo në Klan Kosova.