Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka zhvilluar një takim të rregullt me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.
Gjatë këtij takimi, u diskutua për aktualitetin politik në Kosovë dhe pritjet e qytetarëve të Republikës së Kosovës për mbështetje të fortë nga miqtë, partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë në drejtim të reformave të rëndësishme për forcimin e shtetit ligjor dhe standarteve të demokracisë.
Në një postim në Facebook, Gërvalla theksoi rëndësinë e luftimit të krimit dhe korrupsionit, si dhe nevojën për reforma të thella në fusha të rëndësishme si arsimi, shëndetësia dhe administrata publike.
Ajo gjithashtu nënvizoi nevojën për një bashkëpunim edhe më intensiv në nisma rajonale dhe globale mes dy vendeve.
“Takime të tilla i shërbejnë jo vetëm forcimit të partneritetit të fortë dhe të qëndrueshëm ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve, por gjithashtu theksojnë rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë në arritjen e qëllimeve tona të përbashkëta strategjike dhe diplomatike,” shkroi Gërvalla./Telegrafi/