Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka mirëpritur vendosjen e çështjes së liberalizimit të vizave në agjendën e Këshillit të Bashkimit Evropian.
Gërvalla ka thënë se “sot në Bruksel, procesi i liberalizimit të vizave shënoi një hap shumë të rëndësishëm përpara”.
“Diskutimi i mbajtur në Grupin Punues për Viza të Këshillit të BE-së, siç njoftoi edhe Presidenca çeke, ishte shumë pozitiv dhe përkrahës. Para vendeve anëtare, Komisioni konfirmoi edhe një herë se Kosova i ka plotësuar dhe vazhdon t’i plotësojë të gjitha kriteret për liberalizim vizash dhe rekomandimi pozitiv që Komisioni ka bërë qysh në vitin 2018 mbetet i vlefshëm”, ka thënë Gërvalla përmes një postimi në Facebook, transmeton Telegrafi.
Sipas Gërvallës, Grupi për Viza mirëpriti përditësimin nga Komisioni dhe përgjithësisht përkrahu vazhdimin e procesit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. “Nuk pati kundërshtime dhe kontestime. Janë ngritur çështje teknike, të cilat do të adresohen në diskutimet e mëtutjeshme brenda Grupit për Viza, prej ku procesi do të vazhdojë tutje drejt përmbylljes në afatin e rregullt”.
“Ne e mirëpresim vendosjen e çështjes së vizave në agjendë të Këshillit, për herë të parë në këtë formë. Po ashtu falënderojmë Kryesuesen e radhës të Këshillit, Republikën e Çekisë, për angazhimin që procesi të ecë përpara sa më parë. i jemi falënderues vendeve anëtare që shprehin përkrahje për procesin që do duhej përmbyllur me heqjen e barrikadave të izolimit për qytetarët e Republikës së Kosovës”.
“Siç e kemi thënë edhe më parë, sot nuk ishte dita e vendimit. Sot ishte dita e nisjes së fazës së fundit të këtij procesi, i cili kohë të gjatë ka vendnumëruar, por që tani është në lëvizje dhe drejt zgjidhjes së tij, ashtu siç e meritojnë qytetarët e Kosovës prej kohësh”, ka shkruar Gërvalla.
Mësohet se në mbledhjen e Grupin Punues për Viza të Këshillit të Bashkimit Evropian, është propozuar që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.
Ky propozim besohet se është bërë nga zyrtarët francezë, dhe është mbështetur prej të paktën katër shteteve tjera: Suedisë, Belgjikës, Holandës dhe Spanjës.
Presidenca çeke ka thënë përmes një deklarate se në mënyrë që të ecet përpara në këtë temë, “është e domosdoshme që të qartësohen disa çështje, dhe të vazhdohet me diskutimet”.
Takimi i radhës i këtij grupi pritet të jetë në nëntor të këtij viti. /Telegrafi/