Telegrafi

Gërvalla pritet në takim nga homologu austriak, flasin për veprimet destabilizuese të Serbisë

Në frymë tejet miqësore, në kuadër të vizitës zyrtare në Austri, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, është pritur në takim nga Ministri për Evropë dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare i Austrisë, Alexander Schallenberg, me të cilin diskutuan rreth thellimit të bashkëpunimit bilateral dhe mbështetjen e Kosovës në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Sipas njoftimit nga MPJD, Gërvalla e njoftoi homologun austriak rreth proceseve të brendshme politike në vend, duke prezantuar progresin e arritur në demokratizim, sundim të ligjit, rritje ekonomike, respektim të të drejtave të njeriut, liri të mediave dhe infrastrukturë moderne për investime ndërkombëtare.

Temë tjetër me rëndësi e diskutuar mes dy ministrave ishte edhe informimi në detaje rreth veprimeve destabilizuese të Serbisë, si sulmi në Banjskë, sulmi ndaj KFOR-it dhe veprimeve tjera që rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Ministrja Gërvalla dhe Ministri Schallenberg biseduan edhe për integrimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizata tjera ndërkombëtare, ndërkohë që Ministrja Gërvalla e falënderoi atë për mbështetjen dhe kontributin e dhënë në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.