Site icon Telegrafi

Gërvalla pas takimit me Cameronin: Perëndimi ka qenë i fortë kur ka vepruar me vendosmëri përball një Moske agresive dhe jo me kompromise të dobëta

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka pritur këtë të enjte në takim homologun e saj nga Mbretëria e Bashkuar, David Cameron.

Pas takimit, kryediplomatja në një konferencë për media ka thënë se homologun e saj e ka falënderuar për mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Kosovës vazhdimisht, para dhe pas luftës.

“Por, vura në pah edhe rolin qendror që ka pasur Mbretëria e Bashkuar në ndaljen e gjenocidit të Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës në vitin 1998 dhe 1999. Kosova për këtë do të jetë mirënjohëse përjetë”, ka deklaruar Gërvalla.

Lexo po ashtu Cameron në Prishtinë: Jemi këtu për t’ju përkrahur, ndihmuar dhe promovuar

Ajo tutje është shprehur se demokracia dhe sundimi i ligjit duhen zbatuar konkretisht.

“Nuk duhet të mjaftohemi thjesht me fjalë të bukura. Recetat e vjetra para sulmit të Rusisë kundër Ukrainës për zgjidhje të konflikteve nuk funksionojnë më”.

Ministrja po ashtu ka deklaruar se perëndimi ka qenë gjithnjë i suksesshëm atëherë kur ka pasur një qëndrim të qartë dhe të vendosur.

“Perëndimi ka qenë i fortë politikisht dhe ekonomikisht kur ka vepruar me vendosmëri dhe bazuar në parimet e tij të palëkundshme përball një Moske agresive dhe jo me kompromise të dobëta”.

Gërvalla ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar për Kosovën është partner tejet i rëndësishëm në NATO.

“Rëndësi të veçantë marrëdhëniet tona nuk kanë vetëm në fushën e sigurisë, por edhe në diplomaci”, është shprehur ajo.

Cameron ka qenë kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar gjatë viteve 2010-2016 ndërsa aktualisht ushtron detyrën e ministrit të Jashtëm. /Telegrafi/

Exit mobile version