Telegrafi

Gërvalla, ndërkombëtarëve: Reagoni, dronët e konfiskuar dhanë dëshmi për përfshirjen e Serbisë në sulm

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka reaguar pasi Policia e Kosovës prezantoi pamjet e kapura nga dronët e terroristëve.

Duke komentuar pamjet të cilat të dielën i publikuan ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, me drejtorin e Policisë,  kryediplomatja tha se këto janë dëshmi për përfshirjen e drejtpërdrejtë të Serbisë në sulmet kundër Republikës së Kosovës.

Sigurimi i pamjeve është mundësuar përmes dronëve të terroristëve të cilat i ka konfiskuar Policia e Kosovës.

”Dronët e sekuestruar nga grupi terrorist kanë dhënë dëshmi të tjera për përfshirjen e drejtpërdrejtë të Serbisë në sulmet kundër Republikës së Kosovës“, ka shkruar Gërvalla.

Lexo po ashtu Kurti: Terroristët që kryen sulmet në veri u trajnuan në një nga bazat kryesore të ushtrisë serbe

“Pamjet me dron zbulojnë se grupi terrorist u trajnua në Pasuljanske Livade, një nga bazat kryesore të Ushtrisë Serbe, si dhe në bazën e Kopaonikut. Është evidente se sulmet janë orkestruar me mbështetjen dhe planifikimin e plotë të shtetit serb”, ka shtuar Gërvalla.

Gërvalla ka kërkuar nga partnerët ndërkombëtarë që të mos e nënvlerësojnë më rrezikun e madh.

“Ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar të vendosë sanksione ndaj regjimit të Vuçiqit”.

“Serbia duhet të mbajë përgjegjësi dhe të përballet me pasoja. Vetëm sinjalet e qarta kundër regjimit të Vuçiqit do të ndalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm”, ka shkruar tutje Gërvalla në platformën X. /Telegrafi/