Telegrafi

Gërvalla: Kemi paralajmëruar partnerët, Serbia mund të ketë plane për të sulmuar veriun e Kosovës

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka thënë se për momentin nuk duket se ka ndonjë kërcënim për agresion nga Serbia.

Gërvalla në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se sot nuk ka kërcënim por nuk e dinë se çfarë do të ndodh në të ardhmen.

“Ne mund të ju themi se institucionet e Kosovës janë vigjilente në këtë drejtim. Nëse ne sot nuk e shohim këtë rrezik nuk do të thotë se nuk duhet të jemi të përgatitur për të ardhmen. Ua kemi bërë me dije partnerëve tonë se duhet të jemi të përgatitur për të gjitha opsionet”, tha ajo, përcjell Telegrafi.

“Serbia mund të ketë plane për të sulmuar veriun e Kosovës, dhe një gjë të tillë ua kemi thënë prej muajsh partnerëve tanë ndërkombëtar”, shtoi ajo.

Zëvendëskryeministrja ka folur edhe për vizitën në Turqi që kishin bërë bashkë me Presidenten.

“Presidenti i Turqisë na premtoi përkrahje për anëtarësim në NATO. Ne u gëzuam shumë për atë lajm, duke parë edhe deklaratat që erdhën nga fqinjët. Nuk mund ta konsiderojmë atë deklaratë të padobishme. Deklarata të tilla përkrahëse erdhën edhe nga presidenti kroat”.

Ministrja e Punëve të Jashtme thotë se ende nuk kanë marrë përgjigje nga NATO pse nuk po e mbyllin hapësirën ajrore të Kosovës për Rusinë.

“Ne duam të jemi me shtetet tjera evropiane. Mos të mbesim si Serbia e Bosnja në këtë aspekt”, deklaroi Gërvalla./Telegrafi/