Site icon Telegrafi

Gërvalla: I domosdoshëm integrimi i plotë euroatlantik i Kosovës

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka theksuar edhe një herë përkushtimin e palëkundur të Kosovës për integrimin euroatlantik, dhe ka thënë se Kosova është e gatshme dhe e përgatitur për të kontribuar për paqe dhe stabilitet.

Këtë deklaratë shefja e diplomacisë kosovare e bëri në New York, në takimin e Kartës SHBA-Adriatik.

Siç thuhet në njoftimin e MPJD-së, ministrja Gërvalla ka deklaruar se integrimi i plotë i Kosovës dhe atyre vendeve të rajonit, të cilat kanë orientim perëndimor në strukturat euroatlantike është i domosdoshëm për të garantuar një rajon të qëndrueshëm dhe për të përballuar sfidat e reja të sigurisë, të intensifikuara nga ndikimet negative të Rusisë dhe aleatëve të saj në rajon.

Ajo ka kërkuar bashkëpunim më parimor në mes të vendeve të A-5, për të përballuar së bashku sfidat e sigurisë, të cilat paraqesin rrezik serioz për paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe Evropë, duke vënë në pah se integrimi euroatlantik i Kosovës dhe rajonit është jetik për ndërtimin e një të ardhme të qëndrueshme dhe paqësore.

“Anëtarësimi i plotë i Kosovës në Kartën e Adriatikut do të përforconte përpjekjet për një rajon më të qëndrueshëm dhe të integruar. Prandaj nevojiten veprime të përbashkëta për t’i rezistuar kërcënimeve të përbashkëta dhe për të garantuar paqen dhe prosperitetin e qëndrueshëm në rajon”, ka thënë Ministrja Gërvalla.

Ministrja Gërvalla ishte pjesëmarrëse në takimin e Kartës së Adriatikut me ftesë të kryesuesit, Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani. /Telegrafi/

Exit mobile version