Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, i ka dërguar telegram ngushëllimi homologut të saj nga Maqedonia e Veriut, Bujar Osmani, për humbjen e jetëve të dhjetëra qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në aksidentin tragjik në mëngjesin e sotëm në Bullgari.
Gërvalla ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për çdo gjë të nevojshme.
“Me trishtim të thellë mora lajmin për aksidentin tragjik në Bullgari, ku në mëngjesin e sotëm humbën jetën 46 persona nga Maqedonia e Veriut. Pranoni ngushëllimet më të sinqerta në emrin tim dhe të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, për Ju, familjarët e viktimave dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut për këtë humbje të madhe dhe tragjike”, thuhet në telegraf.
Tutje ministrja Gërvalla uron që të lënduarit të shërohen sa më shpejt.
“Sot të gjithë ne bashkëndiejmë me ju dhe lutemi që të lënduarit të shërohen sa më parë. Dua gjithashtu të theksoj gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të qenë pranë dhe për të ndihmuar në çdo gjë që është e nevojshme për qytetarët dhe institucionet e Maqedonisë së Veriut në këtë moment të kobshëm”, thuhet në telegram.
Autoritetet bullgare raportojnë se të paktën 45 veta humbën jetën kur një autobus u përfshi nga flakët të martën në Bullgarinë perëndimore.
Autobusi, me targa të Maqedonisë së Veriut, me udhëtarë që po ktheheshin nga Turqia, u dogj rreth orës 02:00 dhe në mesin e viktimave kishte edhe fëmijë, thanë autoritetet, sipas të cilëve, shtatë persona u dërguan në spital për trajtim.
Shkaku i aksidentit nuk ishte menjëherë i qartë dhe autoritetet thanë se kanë nisur një hetim. /Telegrafi/