E dashura e Cristiano Ronaldos, modelja Georgina Rodriguez pati një paraqitje dinjitoze në natën e dytë të festivalit “Sanremo 2020”.
Në po të njëjtën natë, për herë të parë në histori ka prezantuar festivalin e Sanremos edhe një shqiptare – moderatorja Alketa Vejsiu.
E kur jemi te shqiptarët, duket se puna dhe talenti i tyre ka bërë që ata të depërtojnë në spektaklet më të mëdha të rangut botëror.
I tillë është rasti i super modeles me famë botërore, Georgina Rodriguez, e cila dukjen e saj në këtë natë ia ka besuar një stilisteje shqiptare.
Bëhet fjalë për kreatoren nga Prishtina, Lia Stublla, e cila ka dizajnuar dy nga tri fustanet që ajo veshi gjatë prezantimit në “Sanremo 2020”.
Georgina është dukur tejet glamuroze dhe e veçantë dhe për dukjen e saj tërheqëse kanë shkruar edhe mediat ndërkombëtare si DailyMail, The Sun e shumë të tjera.
E meritat për këtë dukje të saj kaq joshëse duket se i takojnë stilistes Stublla, e cila është krenuar me kreacionet e saj në trupin e Georginës, të cilat ajo i ka ndarë edhe me ndjekësit e saj në rrjetin social Instagram. /Telegrafi/