Kanë vazhduar reagimet për prezencën e kryetarit të Lidhjes Social Demokrate Zoran Zaev në stadiumin ”Arena Filipi i Dytë” për të mbështetur Shkëndijën e Tetovës në lojën kthyese për kualifikim në Europ League, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Këtë herë, kryetari i partisë OBRM-Popullore Lubço Georgievski ka kritikuar ata që kanë përfolur gjestin e Zoran Zaev si diçka negative.
Georgievski me metaforë ka thënë ”patriot i vërtetë nuk bëhesh duke e mbështetur Shkëndijën por duke e ndjekur Zvezdën, Partizanin, Aca Lukasin, Cecën dhe të jesh mbështetës i kësaj muzike.” shkruan mes tjerash Lubço Georgievski, kryetar i OBRM-Popullore dhe ish-kryeministër i Maqedonisë.
Nga ana tjetër Zaev e ka arsyetuar këtë gjest kështu “Si shumica prej jush unë e dua futbollin. Mbrëmë njëri nga ekipet tona kishte gjasë të luajë në Evropë dhe kjo është punë e mrekullueshme. Unë e dua Maqedoninë dhe prandaj bëj tifo për klubet tona. Mbrëmë loznin maqedonas, shqiptarë, boshnjakë dhe të tjerë, dhe të gjithë luftonin për qëllim të njëjtë dhe këtu qëndron bukuria e sportit, kjo është bukuria e Maqedonisë. Është për keqardhje që këtë nuk e shohin kundërshtarët tonë. Unë do të vazhdoj ta përkrah sportin e Maqedonisë dhe me këtë jam krenar”, thotë Zaev në këtë video adresim./Telegrafi/