Festim të përbashkët të 153-vjetorit të lindjes së Goce Dellçevit më 4 shkurt nuk do të ketë sepse Bullgaria nuk ka marrë ftesë nga Maqedonia e Veriut, deklaroi sot shefi i diplomacisë bullgare, Georg Georgiev në intervistë për BTV.
“Nëse pyetja është përse nuk do të ketë festim të përbashkët, përgjigja është sepse nuk kemi marrë ftesë për diçka të tillë. Festim të tillë pati pasi që u nënshkrua Marrëveshja për fqinjësi të mirë në vitin 2017. Por, në këtë moment nuk kemi ftesë nga Republika e Maqedonisë së Veriut së bashku ta festojmë atë ditë”, tha Georgiev.
I pyetur nëse me shënimin e përbashkët mund të përsëriten tensionet e vitit 2023, ai theksoi se “historia duhet të bashkojë, dhe jo të përçajë”.
Për marrëdhëniet mes Sofjes dhe Shkupit vlerësoi se janë “specifike”.
Duke u përgjigjur në pyetjen nëse Sofja do ta ndryshojë pozicionin, duke pasur parasysh qëndrimin e kryeministrit të Maqedonisë Hristian Mickoski se bullgarët nuk do të futen në Kushtetutë pa garanca të qarta nga BE-ja, Georgiev tha se Shkupi nuk ka se si ta vazhdojë procesin inkuadrues nëse nuk i përmbushë obligimet e ndërmarra.
“Këtu nuk flasim vetëm për Bullgarinë dhe këtë duhet ta potencojmë qartë. I ashtuquajturi “propozim francez”, ajo që ndodhi gjatë vitit 2022, është mes të gjitha anëtareve të BE-së dhe RMV-së. Këtu flasim për obligime që e tejkalojnë kontestin bilateral. Flasim për diçka për të cilën janë dakorduar të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe RMV-së. Nëse obligimet nuk respektohen, BE-ja nuk ka se si ta vazhdojë rrugën për inkuadrim të RMV-së”, deklaroi ministri bullgar i Punëve të Jashtme.
Sipas tij, nuk ka shtet i cili më shumë se Bullgaria ka interes për integrimin e vendeve nga Ballkani perëndimor dhe shtoi se këtë nuk e thotë vetëm nga pozita e prioriteteve bullgare evropiane nga viti 2018 me kryesimin, por në kontekst shumë më të gjerë.
“Ne, sinqerisht, gëzohemi që Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipëria janë aleatët tanë në NATO. Ai është investim në sigurinë e rajonit. Është e natyrshme të gëzohemi edhe për eurointegrimet, por me ruajtjen e kushteve”, tha Georgiev.