Nga: Rachel Corbett / Sotheby’s
Përktheu: Enxhi Hudhri / ExLibris
Georgia O’Keeffe e dinte se të mësuarit përgjatë gjithë jetës ishte një nga të fshehtat më të ruajtura të rinisë. Megjithëse trupi i saj kishte filluar të përkeqësohej, para vdekjes së saj në moshën 98-vjeçare – ndoshta humbja më e madhe qe shikimi i saj, i cili u shua si rezultat i degjenerimit makular – artistja vazhdoi të këmbëngulte në të qenët pioniere e fronteve të reja në artin e saj, duke mënjanuar ngurtësinë mendore ku bien të tjerët në atë moshë. “Mund ta shoh atë që dua të pikturoj. Ajo gjëja që të bën të krijosh është ende aty”, shprehje e saj që u bë e famshme në atë kohë. Kështu që pikturoi nga kujtesa dhe imagjinata dhe, duke filluar që nga vitet 1970, punësoi asistentë për ta ndihmuar me procesin e saj artistik. Pastaj shkoi dhe më tej.
Më 1974, kur ishte 87 vjeçe, filloi një medium krejtësisht të ri: qeramikën. Forma e prekshme ishte më e përshtatshme me shqisat e saj të ndryshuara dhe e lejoi të përjetonte emocionin e të mësuarit të diçkaje krejtësisht të re.
Ai që e ndihmoi O’Keeffe-in të zbulonte mediumin e saj të ri ishte i besuari i saj i ri dhe miku Juan Hamilton, një skulptor i cili kishte ardhur në pragun e saj në kërkim të një pune ca vite më parë. Hamilton, atëherë 27 vjeç, kishte ardhur me mikun e tij, hidraulikun e O’Keeffe-it, por artistja ikonike nuk ishte në humor për vizitorë të papritur. Fansa dhe turistë të vendosur kishin një zakon të keq që hynin pa leje te studioja e saj e veçuar Ghost Ranch në Nju-Meksiko Mexico dhe prishnin qetësinë e saj të dashur. Kështu që i përzinte. Por, kur disa muaj më vonë Hamilton u kthye një mëngjes dhe trokiti në derën e O’Keeffe-it dhe sërish i kërkoi punë, ajo e pyeti nëse kishte eksperiencë në paketimin e një arke transporti. “Nuk ishte një punë që paguhej shumë, por nuk kisha gjë tjetër në jetën time – kohët e fundit isha divorcuar dhe po filloja një jetë të re, dhe Georgia ishte një nga gratë më interesante që kisha njohur ndonjëherë”, tha Hamilton për “Harper’s Bazaar” më 2016. Filloi ta ndihmonte me dokumentet dhe punë të ndryshme rrotull shtëpisë. “Papandehur, isha aty 10 deri në 12 orë në ditë”, tha ai.
U bënë miq të ngushtë dhe së shpejti Hamilton filloi t’i mësonte asaj rrotën e qeramikës. “Kur shikimi iu bë më i vështirë, ishte mediumi që zgjodhi për shprehjen e saj artistike”, thotë Kayla Carlsen, drejtore e Sotheby’s American Art. “Mendoj se e mori seriozisht. Ishte një proces që i dukej angazhues dhe e shijonte, dhe ishte pjellore. Ka një numër të madh veprash të prodhuara rreth vitit 1980 me ndihmën dhe frymëzimin e Juan-it”.
Në kohën e debutit të saj të parë solo në galerinë legjendare 291 të Nju-Jorkut, 1917, O’Keeffe, e bija 28-vjeçare e një fermeri bulmetesh nga Uiskonsini, ishte e panjohur në botën e artit. Stieglitz, atëherë në të pesëdhjetat e tij, ishte në qendër të saj, edhe si fotograf avangardë dhe si galerist influencues i Nju-Jorkut. O’Keeffe e kishte vizituar dhe përpara galerinë 291 – aty kishte parë për herë të parë vetë pikturat e Picasso dhe Matisse – por nuk e njohu Stieglitz-in derisa mësoi se i kishte ekspozuar disa vizatime pa dijeninë e saj. Fillimisht, donte t’i hiqte, por marrëdhënia e tyre, profesionale dhe personale, do të zgjaste.
Më 1 qershor 1917, pak përpara se O’Keeffe të kthehej në Teksas, ku punonte si mësuese, Stieglitz, i cili ishte ende në një martesë të palumtur në atë kohë, i shkroi: “Sa do të doja të të fotografoja – duart – gojën – sytë – e veshur me të zezë – me një prekje të bardhe – fytin – por nuk doja të të merrja kohë.” Stieglitz rrjedhimisht i mbushi mendjen O’Keefe-it të shpërngulej në Nju-Jork vitin tjetër dhe u martuan më 1924.
Në këtë kohë O’Keeffe kishte pranuar dëshirën e Stieglitz-it për ta fotografuar dhe kaloi disa vite duke pozuar për veprën e tij eksperimentale me disa pjesë. “Portreti”, i cili tashmë varet në Galerinë Kombëtare në Uashington, në fund, u zgjerua në 500 fotografi të shkrepura përgjatë 20 vjetësh. Një prej këtyre imazheve, një studim i vitit 1933 i dorës së O’Keeffe-it, fotografuar duke kapur gomën rezervë të Fordit të saj, është në shitje si pjesë e koleksionit të Hamilton-it. Është një shkrepje veçanërisht pikante duke ditur se O’Keeffe sapo kishte mësuar të ngiste makinën.
Në verën e vitit 1929 bleu makinën e saj të parë dhe udhëtoi për në Nju-Meksiko me një mike, artisten Rebecca Strand, ndërkohë që Stieglitz qëndroi në Nju-Jork. O’Keeffe përfundoi duke jetuar aty për pesë muaj, gjithë kohën duke pikturuar peizazhin, kocka kafshësh dhe dritë. O’Keeffe u gjallërua me pavarësinë e porsagjetur dhe vazhdoi të udhëtonte shpesh. Në verën e vitit 1932, ajo dhe mbesa e Stieglitz-it bënë një udhëtim për në Kuebek, Kanada, duke udhëtuar përgjatë skajit të largët lindor të Gaspé Peninsula. “Dolëm nga makina për një shëtitje dhe gjetëm një kabinë nën pemë mbi një shkëmb të madh e të lartë dhe deti me një plazh ranor poshtë që ishte aq i përsosur sa ende nuk na besohet se ishte i vërtetë”, i shkroi Stieglitz-it në një letër. “Nuk mund të mendosh për diçka më të përsosur – nuk mund ta imagjinoja që ekzistonte një vend i tillë – shkëmbi që lartësohej pas ishte më madhështor se çdo gjë që kam parë”. O’Keeffe e deklaroi gjirin “një vend të mrekullueshëm për të pikturuar” – dhe pikërisht këtë bëri, duke kompozuar Nature Forms – Gaspé. Vorbullat me blu të ftohtë të erës dhe detit janë të pagabueshme, por piktura shenjon tranzicionin gradual të O’Keeffe-it drejt abstraksionit. Për Carlsen, “format joshëse dhe të valëzuara” të kujtojnë serinë e fotografive të reve të Stieglitz-it, të quajtur Equivalent, në të cilat drejtoi lenten për sipër “që të kishe vetëm format në vend të ndjesisë së vendit”.
Një tjetër objekt që sjell në jetë një anë tjetër të personalitet të O’Keeffe-it të cilin s’mund ta shohim ndryshe është një kapëse flokësh argjendi në formën e germave “O-K”. Duket identike me kapësen që i kishte bërë skulptori Alexander Calder me tunxh, por kur piktores iu bënë flokët e bardha vendosi se nuk i shkonte më, kështu që punësoi një artizan për ta kopjuar në argjend kapësen.
Te Ghost Ranch, O’Keeffe ndihej më në fund si në shtëpi. Nuk lodhej kurrë nga pikturimi i peizazheve me shkëmbinj të kuq apo malit Pedernal në largësi, të cilit i referohen si mali San-Viktor i O’Keeffe-it – motivi i preferuar malor i Cézann-it. “Është mali im personal”, – tha njëherë për formacionin të cilin e kishte pikturuar të paktën tridhjetë herë. “Më përket mua. Zoti më tha se nëse e pikturoja mjaftueshëm, mund ta kisha”. Bleu një pronë të dytë në Nju-Meksiko, një hacienda historike në qytetin e Abiquiú më 1945, por O’Keeffe nuk do të lihej për shumë gjatë e veçuar në shkretëtirë. Vitin e ardhshëm, u bë gruaja e parë me një retrospektivë në Museum of Modern Art të Nju-Jorkut dhe u kthye në qytet për hapjen. Ishte një “ekspozitë e lavdishme. Një mrekulli”, siç tha Stieglitz.
Më vonë në atë vit, Stieglitz pati një goditje të madhe në tru dhe O’Keeffe shkoi sërish për në Nju-Jork nga Albëkërkë. Pasi ai vdiq, u kthye në shtëpi në Nju-Meksiko ku do të qëndronte për 37 vitet e ardhshme të jetës së saj. O’Keeffe nuk po kërkonte një mik tjetër kur iu shfaq Hamilton në derë atë ditë më 1973. “Nuk dëshiroj të jetoj mes shumë njerëzve – më lodhin më shumë se çdo gjë”, tha.
Gjithsesi, marrëdhënia e tyre lulëzoi për dekada me radhë, për arsye që janë disi misterioze për njerëzit e jashtëm. “U bën shumë shpejt miq të mirë”, tha Carlsen. – “Ai, duke kuptuar se ajo po plakej, u bë kujdestari i saj. Ndihej i nderuar që kishte mundësinë të kontribuonte në një mënyrë kuptimplotë në jetën e saj. Por kam përshtypjen se kishte shumë admirim mes tyre”. O’Keeffe e mori nën patronazh dhe e ndihmoi të gjente shfaqje në Nju-Jork. Më 1978, pati një ekspozitë te Robert Miller Gallery. “Warhol dhe Joni Mitchell erdhën te hapja – nuk më besohej!” – tha për “Harper’s Bazaar”.
Më pak se një dekadë më vonë, në mars 1986, O’Keeffe vdiq. I la Hamilton-it shumicën e koleksionit të saj të artit, shtëpinë dhe gjërat personale, një përzgjedhje të së cilës ai më vonë ia dhuroi Georgia O’Keeffe Museum. “Ka qenë një privilegj i vërtetë të jetoja mes këtyre veprave dhe të kujdesesha për to për shumë vite”, tha Hamilton në një deklaratë. “Por tani është koha që t’u lejoj të tjerëve mundësinë t’i shijojnë e të mësojnë nga këto thesare. Shpresoj se do të frymëzojnë një brez të ri admiruesish dhe koleksionistësh të O’Keeffe, Stieglitz dhe rrethit të tyre të paimitueshëm, siç më kanë frymëzuar mua për shumë kohë”.