Një nga investitorët më të famshëm në botë, George Soros, ia dorëzoi menaxhimin e fondacionit që drejtonte “Shoqëria e Hapur” (OSF) djalit të tij, Alexander – Alex Soros.
Siç shkruan Financial Times, emërimi i Alexander Soros u finalizua në fund të vitit të kaluar, por Fondacioni vendosi të publikojë këtë informacion vetëm tani.
“Ne do të punojmë për të mbrojtur të drejtat dhe liritë personale dhe do të vazhdojmë të mbështesim demokracinë në botë”, tha zëdhënësi i Alexander Soros për Financial Times.
Në intervistën e parë pas marrjes së rolit të presidentit të OSF-së, Soros thekson se ai është shumë më i përfshirë në politikë sesa babai i tij.
With my brother @ediramaal in #Bratislava, Edi is the beacon of regional stability in the Western Balkans, and a good neighbor to all, he deserves more credit for this. Thanks for all you do for #Albania, #Europe, and the transatlantic alliance my brother. 🇦🇱🇪🇺 pic.twitter.com/WW3D8xfXbV
— Alex Soros (@AlexanderSoros) June 1, 2023
Një burim pranë familjes tha se prioritetet e familjes Soros në SHBA do të ndryshojnë pas emërimit së Alexit në krye të fondacionit.
“Drejtimi i fondacionit do ta bëjë Alexandrin një objektiv të mundshëm për grupet dhe liderët e krahut të djathtë që kanë sulmuar edhe babanë e tij. Alex lavdëroi më parë lëvizjen e administratës Biden për të luftuar antisemitizmin dhe dënoi sulmet ndaj babait të tij”, shkroi Financial Times.
Gjatë gjithë karrierës, Alexander Soros i kushtoi vëmendje të madhe zonës së Ballkanit Perëndimor dhe njihet si një person që mbështet iniciativat ekonomike, veçanërisht ato që lidhen me Ballkanin e Hapur.
Vitin e kaluar, Soros u pa në samitin “Ballkani i Hapur” në Ohër në tryezë së bashku me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, kryeministrin shqiptar, Edi Rama, kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe kryeministrin maqedonas, Dimitar Kovaçevski.
Gjatë viteve të kaluara, Soros organizonte shpesh takime me presidentin e Serbisë, por edhe me njeriun e parë të qeverisë së Shqipërisë, Edi Ramën, të cilin e cilëson edhe si vëlla.
Ndryshe, disa javë më parë, Alexander Soros është takuar në Kosovë me kryeministrin e vendit, Albin Kurtin. /Telegrafi/