Telegrafi

Gentian Lluka: Moto e Telegrafit, më të shpejtët me lajme të verifikuara

Në konferencën për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve, drejtori i portalit “Telegrafi”, Gentian Lluka, tha se kanë rritur personelin brenda portalit dhe po tentojnë të sjellin inovacion.

Lluka ka bërë të ditur se në median që e drejton punojnë me moton ‘Fokusohuni të jeni më të shpejtët me lajme të verifikuara’.

“Ne kemi zgjedhur me e rrit stafin dhe kriju një hierarki dhe duke pasur organizim të brendshëm, por kemi rritur edhe komunikimin”, ka thënë Lluka.

Lluka ka thënë se prioritet është që të verifikohet lajmi, pastaj të publikohet.

“Kryeredaktori dhe redaktorët përgjegjës janë ata që i zgjedhin dhe i parandalojnë këto. Është merita e tyre për me e mirëmbajt, jo në nivel të gazetarëve apo praktikantëve, të cilët shumë lehtë mund të vijnë deri te një gabim i caktuar”, ka thënë ai.


Drejtori i portalit “Telegrafi”, Gentian Lluka

Lluka tha se Telegrafi e ka synim të dalë i pari me lajme të verifikuara. Prandaj ka zgjeruar ekipin aty ku është e nevojshme.

“Te lajmet ndërkombëtare, shkaku i ngjarjeve të fundit në botë (lufta në Ukrainë), ne kemi krijuar një ekip prej katër vetash që fokusohen në burime të reja dhe fokusohen në burime kredibile të informacionit. Gjithashtu kemi krijuar një ekip tjetër, ekipi digjital, që i ndihmon grupit të redaktorëve për t’i verifikuar lajmet. Pra krijohet një task force shumë e shpejtë për verifikimin e lajmit. Sepse ne e kemi presionin e verifikimit të lajmit. Pra lajmi të dalë i pari i verifikuar”, tha Lluka

Organizuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) në partneritet me Internews Kosova dhe me FindBug, në Prishtinë të hënën u mbajt konferenca për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve, me temën “Ballafaqimi me fakte: Si të kundërshtohen ndikimet e dëmshme nga jashtë”./Kallxo.com