Në një adresim të përbashkët në kryeqytetin francez, presidenti Emmanuel Macron, dhe ai serb Aleksandar Vuçiq, diskutuan për sfidat që lidhen me dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Vuçiq, duke folur për media pas takimit me Macronin, hodhi poshtë idenë se të dyja palët kanë kontribuar në progresin e dialogut, duke thënë se “njëra palë nuk ka bërë asgjë”, me këtë duke iu referuar direkt Prishtinës.
Vuçiq tha se Serbia ka përmbushur “tri gjëra” nga marrëveshja e arritur për normalizimin dhe theksoi se një parakusht kyç ishte formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë – një hapat që, sipas tij, Kosova ende nuk e ka përmbushur.
Presidenti serb genjeu duke thënë se “Kosova po kryen shpronësimin në veri, dhe asnjë hetim nuk është ndërmarrë për plagosjet e serbëve në Kosovë”.
Vuçiq dhe Macron diskutuan mbi marrëveshjen e arritur në shkurt të vitit të kaluar në Bruksel dhe Aneksin e zbatimit të saj që u nënshkrua në mars të vitit 2023 në Ohër.
Ndërkohë, Brukseli ka akuzuar herë pas here të dyja palët për moszbatimin e marrëveshjes, e cila përfshin 11 nene dhe kërkon një lëvizje drejt njohjes së ndërsjellë të simboleve shtetërore dhe vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë.
E gjithë ky zhvillim, sipas presidentit francez Macron, “është një premtim dhe zotim për të ardhmen e rajonit”, dhe ai theksoi se Franca do të bëjë përpjekje që çdo hap i marrëveshjes të përmbushet.
Macron gjithashtu kërkoi që të gjithë akterët që morën pjesë në sulmin e vitit të kaluar në Banjskë të arrestohen dhe të dalin para gjykatës. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe.
Macron vuri në dukje se është jetik për Prishtinën të respektojë zotimet e marrëveshjes dhe për zgjedhjet që të reflektojnë “një legjitimitet të plotë demokratik, veçanërisht në komunat me shumicë serbe”.
Në të njëjtën linjë, Pallati Elize njoftoi për diskutimet mes të dy zyrtarëve mbi integrimin evropian të Serbisë dhe raportet me Kosovën, duke theksuar se normalizimi i këtyre raporteve është “pjesë integrale e procesit të pranimit” në BE./Telegrafi/