Telegrafi

Gena: Na u premtua një festival që do kishte barazi dhe drejtësi, por nuk ndodhi

Gena (Foto: Instagram)

Për edicionin e 58-të të Festivalit të RTSh-së kishte probleme të shumta, përfshirë edhe anën teknike.

Kjo në bazë të shkrimeve që tashmë artistët kanë ndarë me ndjekësit në rrjetet sociale, duke rrëfyer momente të ndryshme nga ky kompeticion muzikor.

Një të tillë së fundmi e ka bërë edhe këngëtari Gena, i cili konkurroi në mes 22 artistëve të tjerë.

“Na u kërkua dhe na u premtua që do të merrnim pjesë në një festival vlerash që kryefjala do ishte kënga. Një festival që do të kishte barazi dhe drejtësi. Po nuk ndodhi ashtu. Probleme të jashtëzakonshme teknike. Probleme që nisen që në prova, por prapë se prapë vendosa të vazhdoj edhe pse nuk kisha përkushtimin e duhur si artist. Në këtë festival morëm pjesë 20 artistë por 18 prej nesh nuk ju ofrua asnjë lloj komoditeti. Dua të ndaj me ju një shqetësim”.

Lexo po ashtu Renditja e finalistëve në Festivalin e RTSh-së sipas votave të jurisë

“Pas natës së dytë ku publiku ka kërcyer dhe ka kënduar këngën time një kthesë e jashtëzakonshme ndodh në natën finale. Nuk dua të besoj që është bërë me qëllim. Ndërkohë që isha gati për të performuar 10 sekonda përpara se të dalë në skenë teknika ndërhyn për të dytën herë në kufjet e mia duke më lënë të dyshoj që diçka nuk shkonte mirë, dhe rezultati ishte që gjatë gjithë kohës kam patur shkëputje të audios në kufje, vetëm për respektin tuaj e vazhdova këngën deri në fund duke mos patur gati gati fare dëgjim”.

“Më falni që nuk isha Gena që ju njihni në këto 25 vjet. U mundova të jap më të mirën nga vetja por jo gjithçka është në dorën e artistit. Megjithatë jeta vazhdon. Dua tju uroj nga zemra Gëzuar Krishlindjet dhe zoti ju bekoft”.

Sakaq, këtë edicion e ka fituar këngëtarja nga Shqipëria, Arilena Ara, edhe pse fansat nisën peticion për të rikthyer Elvanën në finale. /Telegrafi/