Mesfushori portugez, Gedson Fernandes po kërkohet me ngulm nga skuadra italiane Milan.
Fernandes ka shkëlqyer në dy edicionet e fundit me fanellën e Benficas dhe është bërë objektivi kryesor i Rossonerëve për repartin e mesfushës.
Milani tentoi afrimin e tij edhe në afatin kalimtar të verës, por nuk arritën marrëveshje me klubin portugez.
20-vjeçari ka pranuar se do t’i pëlqente kalimi në Serie A te Milani, por i ka bërë me dije klubit italian se fillimisht duhet ta arrijnë marrëveshjen me Benfican.
Pikërisht këtu është problemi i Milanit, pasi Benfica nuk po heqë dorë nga klauzola që i ka vendosur yllit të tyre.
Fernandes ka nënshkruar muaj më parë një kontratë deri në vitin 2023 ku ka klauzolë largimi prej 120 milionë euro.
Rossonerët janë të gatshëm të shpenzojnë vetëm gjysmën e kësaj shume për transferimin e lojtarit.
Mbetet të shihet nëse Benfica do të heqë dorë nga klauzola e Fernandes dhe do të pranojë shitjen e tij për 60 milionë. /Telegrafi/