Dëshmitari Fadil Geci ka deklaruar të hënën në Hagë se Rexhep Selimi ishte ai që zbuloi se komunikata numër 59 ishte shkruar nga një “dashakeq”, që sipas tij ishte Hashim Thaçi.
Geci theksoi se për faktin që Rexhep Selimi kishte zbuluar të vërtetën rreth kësaj çështjeje, ai është i gatshëm t’i falë Selimit akuzën se kishte quajtur vëllanë e tij, Gani Gecin, tradhtar.
“E ai shpifës kush është? Kam pasur dëshirë ta shoh në sy dhe të di se kush ka shpifur për vëllezërit Geci, një familje që ka qenë gjithmonë e para në Drenicë. Faleminderit Rexhep Selimi që tregove të vërtetën. E ke thënë një të vërtetë dhe për këtë të falenderoj”, tha Geci.
Ai gjithashtu shtoi se personi që kishte shkruar komunikatën 59 nuk e kishte menduar që një ditë do të përballeshin me të vërtetën dhe do të turpërohej për atë që kishte bërë.
“Informacionin e kam parë bashkë me juve, dhe e kam dëgjuar drejtpërdrejt nga Rexhep Selimi se komunikata 59 ishte shkruar nga Hashim Thaçi, një njeri që me këtë veprim kishte dëmtuar Drenicën për interesa personale,” tha Geci.
Prokurori James Pace u rikthye më pas te një intervistë e Selimit nga viti 1999, ku ai kishte deklaruar se personi që kishte vrarë Abedin Rexhën synonte të vriste edhe atë.
Prokurori lexoi se plani për vrasjen e Selimit kishte dështuar për shkak të pamundësisë për të gjetur një person të aftë që ta kryente atë.
Pas kësaj, gjykata pranoi si provë materiale intervistën e Rexhep Selimit nga viti 1999, megjithë kundërshtimet e mbrojtjes së tij.