Zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, në Ballë për Ballë të Klan Kosovës ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është e keqja më e madhe që mund t’i ndodh vendit.
Ai ka deklaruar se veprimet e kësaj lëvizje janë anarkiste dhe ardhja në pushtet e saj do të instalonte diktaturën në vend, për shkak se ideologjia e tyre është revolucionare, njofton Klan Kosova.
“Në vazhdimësi Vetëvendosjen e kam quajtur anarkiste, sepse të gjitha veprimet i kanë të tilla. Edhe kur i kam quajtur veprimet e tyre si ato të Brigadave të Kuqe ka ndodhur e njëjta gjë, por ditët e fundit ata kanë treguar se janë të gatshëm për veprime të rrezikshme. Nuk është vështirë të hysh në përleshje me aktivistë të kësaj lëvizje. Mënyrat dhe metodat e tyre janë të dhunës. Kryekacaku i tyre, Dardan Molliqaj, ditë më parë tha se do t’i tërheq njerëzit zvarrë në rrugët e Prishtinës. E kemi parë atë vet në kamera duke e nxjerrë njerëzit nga vetura. Në një intervistë para disa ditësh e kam thënë që e keqja më e madhe e këtij vendi është Vetëvendosja. Në këtë vend ka shumë të këqija. Ka krim të organizuar, korrupsion e të tjera, por nëse këta njerëz e marrin pushtetin unë jam i bindur se do ta instalojnë diktaturën. Sepse ideologjia e tyre është revolucionare. Ata duhet që të rrënojnë gjithçka, që më pas të ndërtojnë në të tyren”.
“Ekzistojnë pamjet kur aktivistë të tyre gjuajnë me koktej molotovi në trupin e policëve. Për mua këto janë akte terroriste. Këto vijnë nga njerëz që plot gojën e kanë me luftë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Gecaj më tutje ka thënë se beson që pjesëmarrja në protestën e së enjtes nuk do të jetë masive, për shkak se qytetarët nuk besojnë në kauzën e prezantuar nga Vetëvendosje, ndërsa ka theksuar se këtij subjekti nuk i intereson nëse liberalizohen vizat apo jo, pasi, së fundmi, zyrtarë të lartë të saj kanë marrë pasaporta të Shqipërisë, njofton Klan Kosova.
“E kam dëgjuar Dardan Molliqajn të thotë se shumica e shqiptarëve kanë armë, sepse njerëzit kanë qenë në luftë. Edhe unë e kam pasur vëllanë në luftë. Por pas lufte, edhe unë, edhe ai, kemi armë gjuetie. Por i kemi me leje”.
“Nuk besoj që të ketë dalje masive në protestë. Këtë gjë e ka paralajmëruar edhe Dukagjin Gorani, kur thotë që jo të gjithë kundërshtuesit dalin në protesta. Unë besoj në të kundërtën. Ne e kemi parë edhe herëve të kaluara. E kemi parë që të tri partitë nuk kanë mundur të mbledhin numër të madh qytetarësh”.
“Zyrtarët e lartë të Vetëvendosjes para disa ditësh morën pasaporta të Shqipërisë. Edhe atyre nuk u intereson liberalizimi i vizave”. /klankosova.tv/