Site icon Telegrafi

Gecaj: PDK ta diskutojë me Thaçin Demarkacionin

Zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, njëherësh këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa ka thënë për “Zërin” se zyrtarët e PDK-së do të kenë mundësi t’i thonë në Kuvendin e Kosovës deklaratat që i kanë thënë në medie se me Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi është hyrë pesë kilometra brenda Kosovës.

Por, paraprakisht, sipas tij, do të ishte mirë të flasin me presidentin, Hashim Thaçi, i cili ishte kryetar i PDK-së në kohën e nënshkrimit.

Marrëveshja për Demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi ka mbetur pezull, meqë dy partitë në pushtet, PDK-ja dhe LDK-ja, ende nuk po arrijnë konsensusin për ratifikim në Kuvendin e Kosovës, shkruan “Zëri”.

Derisa zyrtarë të lartë të PDK-së kanë deklaruar publikisht se kjo marrëveshje për demarkacionin është gabim, pasi me të është hyrë pesë kilometra brenda territorit të Kosovës, kryeministri Isa Mustafa po hesht duke mos e thënë asnjë fjalë nëse i mbështet këto deklarata të partnerit të koalicionit ose jo.

Mirëpo, këshilltarët e tij ia kanë gjuajtur topin PDK-së dhe presidentit, i cili në kohën e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje ishte kryetar i PDK-së dhe ministër i Punëve të Jashtme.

Rreth demarkacionit dje ka diskutuar edhe Komisioni Parlamentar për Integrime Evropiane, në të cilën është shtruar kërkesa për seancë dëgjimore për demarkacionin, por që është kundërshtuar nga opozita. /Zëri/

Exit mobile version