Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, ka akuzuar rëndë deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, i cili kohë më parë kishte mbajt takime me bashkatdhetarëve në Zvicër për situatën në vend.
Gecaj, duke komentuar një takim që krerë të Lëvizjes kishin me bashkatdhetarët në Zvicër, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se është dëshperuese se si Vetëvendosje përmes dezinformimit po mundohet të ndryshojë pikëpamjet e njerëzve atje, transmeton Telegrafi.
Ai e ka quajtur opozitën “desperados”, që nënkupton “dëshpërim”.
Postimi i Gecajt:
“‘DESPERADOS’ OPOZITË
Al-Bin Kurti u ishte drejtuar këtyre ditëve bashkatdhetarëve në Zvicër me këtë pyetje jashtëzakonisht sugjestive: “Përderisa ju i mbani familjet me remitenca (dërgesa parash), më habit fakti se kaq pak ndikim keni në orientimin politik të tyre në Kosovë?”
Pra, pafundësisht të dëshpëruar nga pamundësia konstante e depërtimit substancial tek zgjedhësit në Kosovë, anarkistët tani po mundohen që këtë depërtim ta realizojnë edhe përmes dezinformimit dhe rrjedhimisht ndikimit anësor përmes familjarëve të tyre nga diaspora” (sic.), ka shkruar Gecaj. /Telegrafi/