Telegrafi

Gecaj dhe Emini premtojnë se do ta mbështesin Podujevën në tejkalimin e pandemisë me pak pasoja

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Bajram Gecaj, zëvendësministrja e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Fatbardha Emini, të shoqëruar nga nënkolonel Nevruz Hasani nga drejtoria rajonale e Policisë së Kosovës në Prishtinë, vizituan sot komunën e Podujevës dhe Stacionin e Policisë.

Gjatë kësaj vizite ata u pritën nga nënkryetari i komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, ku diskutuan për masat që kanë ndërmarrë komuna dhe Qeveria e Kosovës për menaxhimin e situatës me Covid-19.

Në këtë takim u vlerësua se është shumë i rëndësishëm koordinimi i të gjithë akterëve relevant, në mënyrë që të ketë një menaxhim më efektiv të situatës.

Gecaj vuri në dukje se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, si me të gjitha komunat tjera, do të mbështesë komunën e Podujevës me të gjitha kapacitetet e saja, me qëllim të tejkalimit sa më shpjetë dhe me pak pasoja këtë pandemi.

Ndërsa gjatë vizitës në stacionin Policor të komunës së Podujevës, u vlerësua se Policia e Kosovës krahas angazhimit në këtë periudhë, njëkohësisht është duke u përkujdesur për situatën e përgjithshme të sigurisë. Në këtë komunë u vlerësua se gjendja e përgjithshme e sigurisë është brenda parametrave normal. /Telegrafi/