Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gazmend Syla, përmes një postimi në Facebook, ia ka përmendur kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit zotimet e tij për qeverisje të mirë.
Syla ka postuar dokumentin e nënshkruar nga Kurti, në të cilin janë të renditura disa nga zotimet elektorale, ndër to edhe zotimi për depolitizim të ndërmarrjeve publike.
“Me i shkel zotimet e dikujt tjetër nuk është asgjë. Por, me i shkel “ZOTIMET” tua, beso që është shumë e rëndë, pasi erdhe në pushtet me këto zotime. Albin Kurti, të ndryshoi pushteti, e lëshove bajrakun”, shkruan Syla.
Këto komente ai i bëri, pas vendimit të mbrëmshëm të marrë nga Qeveria e Kosovës, për emërimin e një anëtari të Vetëvendosjes në bordin e një ndërmarrjeje publike.
Kurti ka emëruar për kryesues dhe drejtor të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, kandidatin e Vetëvendosjes për deputet në zgjedhjet e 6 tetorit, Mentor Hysenin.
Mentor Hyseni në gusht të vitit të kaluar është anëtarësuar në partinë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit.
Anëtarë të Bordit të Përkohshëm të Ndërmarrjes janë emëruar po ashtu Mentor Hyseni, kryesues dhe drejtor, Hajrie Morina, drejtore, Seat Bilbani, drejtor dhe Idriz Maliqi, drejtor. /Telegrafi/