Telegrafi

Gazetarja publikon videon teksa mbrojtja e afërt e Kurtit e shtynë dhe nuk e lë të bëjë pyetje – reagon AGK

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënon sjelljen e papranueshme të mbrojtjes së afërt të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ndaj gazetares së TV Klan, Blerta Dalloshi Berisha. 

Në videon e publikuar nga Dalloshi – Berisha, shihet një nga pjesëtarët e mbrojtjes së afërt duke kapur dhe shtyrë nga dora gazetaren, teksa ajo përpiqet ta bëjë një pyetje për kryeministrin.

AGK thekson se maltretimi në formë të tillë i gazetarëve është i papranueshëm, dhe ndikon në rritjen e pasigurisë për komunitetin medial në Kosovë.

Asociacioni kërkon nga Policia e Kosovës që të hetojë sjelljen e personit në fjalë, dhe gjithashtu nga Kryeministri që të dënojë këtë sjellje dhe të mundësojë që gazetarët të bëjnë pyetjet në interes të publikut.

Ndërsa Berisha ka thënë se është hera e dytë që e pengojnë në kryerje të detyrës.

“Ka mëse 22 vjet që punoj si gazetare. I kam prit e percjellë të gjitha qeverisjet e kryeministrat duke nis nga Bajram Rexhepi. Por mbrotje të afër si të kryeministrit Kurti asnjëherë nuk me ka rastis me pa. Është hera e dytë që më (sulmojnë) pengojnë në kryerje të detyrës por kjo e sotmja është kulmi. Shihet në video sjellja e tyre derisa dora e djathtë ende po më dhemb. Kapja e mikfrofonit nga ana e tij që rezultoi edhe me ndaljen e kamerës është sikurse unë me I marrë armën atij”.

“Mos të harrojmë me atë mikrofon kam raportuar dhe informuar popullin për të gjirha të mirat dhe të kqiat e të gjitha qeverisjeve e vitet e fundit më së shumti nga Mitrovica. Sjellja e sotme ishte për turp. Edhe dicka, I di kompetencat e mia deri ku kam të drejtë dhe nuk I kam tejkaluar ato”, shkroi Berisha në Facebook./Telegrafi/