Gazetarët rusë që ishin arrestuar mbrëmë në Kosovë, saktësisht në në Hoçë të Madhe – Oksana Sazonova dhe Sergej Belous – janë gjobitur me nga 200 euro për person dhe u është ndaluar që të hyjnë në shtetin e Kosovës për pesë vitet e ardhshme.
Arrestimi i tyre ishte konfirmuar edhe nga autoritetet e sigurisë ku, sipas tyre, dy gazetarët rusë dyshoheshin se kanë kaluar kufirin në mënyrë ilegale.
“Autoritetet e Policisë Kufitare të Republikës së Kosovës janë duke trajtuar rastin, përderisa personat e ndaluar janë duke u mbajtur në qendrën për të huaj deri në vendimin e ardhshëm apo largimin e tyre nga Kosova. Të gjitha vendimet e mëtejmë do të ndërmerren konform ligjeve të aplikueshme në fuqi”, ka thënë për “Indeksonline”, Daut Hoxha, zëdhënës i PK-së.
Sputnik raporton se gazetarët nuk kanë marrë ende paratë dhe se nuk munden të paguajnë dënimin, porse janë duke pritur disa “persona zyrtarë që të sjellin të hollat dhe ta paguajnë atë”.
Sipas informacioneve, pas kësaj procedure pritet që gazetarët – në shoqërimin e Policisë – të kalojnë në Merdare, transmeton Indeksonline.
Sputnik citon avokatin Goran Petronijeviq që thotë se në procedurën e lirimit të tyre nga paraburgimi duhet të kenë ekip të avokatëve serbë që janë të licencuar për të operuar në Kosovë, si dhe me një ekip tjetër të avokatëve në vendkalimin në Merdare – në mes të Kosovës dhe Serbisë.