Site icon Telegrafi

Gazetarët e rrezikuar, pak efikasitet nga mekanizmat shtetërorë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës organizoi një tryezë diskutimi mbi raportin “Treguesit e nivelit të lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetareve”.

Në këtë tryezë u diskutua për rekomandimet e dala nga raporti.

Kryeministri Isa Mustafa u zotua se do të angazhohet më shumë ne rritjen e transparencës.

Ai tha se “janë duke punuar në strategji të ndryshme për të arritur deri në atë pikë kur gazetarët nuk do të mbesin asnjëherë pa përgjigje”.

Ndërkohë, kryetari i AGK-së, Shkëlqim Hysenaj kërkoi nga qeveria që të angazhohet më shumë në rritjen e transparencës dhe krijimin e mekanizmave adekuat për të mbrojtur gazetarët.

Hysenaj shprehu shqetësimin e gazetarëve sa i përket trajtimit të rasteve kur gazetarët janë viktimë e dhunës, kërcënimeve dhe fushatave linçuese.

Zëdhënësja e Zyrës së përfaqësueses së BE-së, Dinka Zivalj ka vlerësuar raportin duke i dhënë mbështetje AGK-së.

Zivalj ka ngritur një çështje tjetër si problem, pronësinë e mediave online, duke thënë se “duhet të gjendet një zgjidhje adekuate”.

Ndërkohë avokati i popullit, Hilmi Jashari ka thënë se mungon linjë e qartë ligjore përmes së cilës do të sigurohej respektim i të drejtave të gazetarëve.

Kryeredaktori i gazetës Koha Ditore, Agron Bajrami ka qenë kritik sa i përket transparencës së institucioneve.

Bajrami poashtu ka ngritur si shqetësim ndikimin e politikës në disa prej mediave.

Kryetari i KMSHK-së Imer Mushkolaj ka thënë se duhet investuar më shumë në aspektin etik të mediave.

Sipas Mushkolajt pozita e gazetarit është e rënë pasi ekziston një jostabilitet në fushën e mediave.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Naim Rexha tha se policia ka trajtuar 154 raste. Prej tyre në administrim policor mbesin 17, ndërsa rastet e tjera janë përcjellë tek prokuroria.

Ai tha se rastet e mbetura janë nga viti 2016.

Exit mobile version