Gazetarët në shenjë revolte janë larguar nga Kuvendi i Kosovës, pasi për tri orë kanë pritur për mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila mbledhje është thirrur në orën 11:15.
Kryesia e Kuvendit, jo vetëm që nuk e zhvilloi mbledhjen e paraparë, por i lanë në pritje mediet përreth tre orë dhe pa asnjë informatë në lidhje me zhvillimin e mbledhjes.
Ende nuk është njoftuar zyrtarisht se a do të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, në të cilët do të vendosej për një seancë të jashtëzakonshme për të vendosur për mandatin e ardhshëm të EULEX-it.
Telegrafi mëson se deri më tani asnjë deputet i Kuvendit të Kosovës nuk ka marr asnjë ftesë për mbajtjen e seancës së Kuvendit të Kosovës.
Ndryshe, sipas komunikatës zyrtare të Kuvendit të Republikës së Kosovës sot është thirrur mbledhje e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës për të diskutuar rreth mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme për vazhdimin e mandatit të EULEX-it. /Telegrafi/