Telegrafi

Gazeta spanjolle AS konfirmon ofertën e Kosovës: Robert Moreno po konsideron tri destinacione

Trajneri 46-vjeçar spanjoll, Robert Moreno thuhet se ka edhe dy oferta nga klubet, përveç ofertës nga Përfaqësuesja e Kosovës.

Sipas gazetës spanjolle AS, Moreno është afër rikthimit në stol pasi ish-trajneri i Spanjës ka mbajtur takime këtë javë me tre destinacione të mundshme: dy klube dhe një kombëtare.

Ky medium shton se të interesuar për nënshkrimin e trajnerit spanjoll janë Federata e Kosovës që ai të mund të drejtojë Përfaqësuesen e Kosovës, klubi rus Sochi dhe klubi turk Adana Demirspor.

Moreno ka qenë këto ditë në Rusi dhe Turqi për të zhvilluar intervista të ndryshme me bashkëbiseduesit e interesuar për nënshkrimin e tij.

Ofertat raportohet se janë të rëndësishme financiarisht, por ish-trajneri i Granadës dhe Monacos do ta vlerësojë më shumë projektin sportiv kur zgjedh.

Lexo po ashtu Kush është Roberto Moreno, trajneri i cili po flitet që do marrë drejtimin e Kosovës?

Në këtë kuptim, gazeta AS shton se opsioni i drejtimit të një klubi po fiton më shumë fuqi për momentin sesa drejtimi i një ekipi kombëtar, që në këtë rast është Kosova.

Përvoja e fundit e Morenos ishte Granada vitin e kaluar. Më 7 mars 2022, ai u shkarkua nga drejtuesit e klubit pasi humbi ndaj Valencias 3-1. Që atëherë, ai ka pasur disa propozime. Në ditët në vijim ai do të marrë një vendim. /Telegrafi/