Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinez në Lindjen e Afërt (UNWRA) paralajmëroi të premten për situatën e rëndë humanitare në Gaza, pas urdhrit të Izraelit që njerëzit në veri të enklavës të evakuohen në jug.
“Thirrja nga forcat izraelite për të zhvendosur më shumë se 1 milion civilë që jetojnë në Gazën veriore… është e tmerrshme. Kjo vetëm do të çojë në nivele të paprecedentë mjerimi dhe do t’i shtyjë më tej njerëzit në Gaza në humnerë”, tha Komisioneri i Përgjithshëm i UNRWA, Philippe Lazzarini në një deklaratë.
UNWRA e përshkroi shkallën dhe shpejtësinë e krizës humanitare si “të frikshme”.
“Gaza po kthehet shpejt në një vrimë ferri dhe është në prag të kolapsit”, thuhet tutje në deklaratë.
Lazzarini u bëri thirrje “të gjitha palëve dhe atyre që kanë ndikim mbi to që t’i japin fund kësaj tragjedie dhe të ofrojnë akses dhe mbrojtje humanitare të menjëhershme dhe të pakushtëzuar për civilët, mes tyre shumë gra dhe fëmijë”. /Telegrafi/