Site icon Telegrafi

Gaxherri: Vetëvendosje, opsioni i parë i LDK-së për koalicion parazgjedhor

Lidhja Demokratike e Kosovës, si partia e parë demokratike në Kosovë është duke kaluar në një proces të vështirë, i cili është zgjedhja e kryetarit të saj. Se kush do të jetë lideri i ardhshëm i kësaj partie do të kuptohet më 3 gusht.

Tashmë ish kyetari i LDK-së dhe ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu e ka konfirmuar se do të garojë që ta udhëheqë partinë edhe njëherë.

E të gjitha këto zhvillime, sipas njërës ndër deputetes më aktive të LDK-së, Besa Gaxherri, tregojnë se LDK-ja është shumë hapa para partive tjera sa i përket procesit të demokratizimit dhe se për të, kushdo që zgjidhet kryetar i partisë do të jetë i pranueshëm.

Ndërsa sa i përket mundësisë për një koalicion qeverisës, ajo thekson se me rëndësi është që partia e Rugovës të shkojë e vetme por nuk duhet mbyllur dyert për një koalicion të mundshëm me Vetëvendosjen.

Ajo ka thënë se përflitja e emrave konkretë për kandidim të kryetarit të partisë janë spekulime, sepse asgjë zyrtare nuk ka për asnjë kandidat.

“Sa i përket kandidaturave, të gjitha këto që po fliten e po i lexoj në media janë spekulime. Asgjë zyrtare nuk ka për asnjë kandidat, është e vërtetë që ndoshta vetë mendimet e caktuara të njerëzve të caktuar kanë aluduar për njerëz të caktuar, por në kuvend do të merret vesh”,  tha Gaxherri për Express.

Ndërsa sa i përket se a dihet se kush mund të jenë kandidatët potencial të partisë, Gaxherri tha se e gjitha do të kuptohet ditën kur do të zgjidhet kryetari i partisë.

“Kryesia duhet që t’i propozojë së bashku si kryesi, pra në emër të kryesisë disa kandidatë ose ata vetë do të deklarohen brenda kuvendit dhe aty do ta dimë të gjithë se kush janë kandidatët dhe në fund të procesit të votimit do të dihet se kush do të fitojë”, tha ajo.

E pyetur se a është koha që një grua ta marrë drejtimin e partisë më të vjetër demokratike në vend, ajo tha se për të nuk është problem se a është grua apo burrë por e rëndësishme është që LDK-ja ka kuadro të shumtë të cilët do ta drejtonin partinë.

“Mund të jetë edhe grua, fatbardhësisht, LDK-ja ka kuadro të mjaftueshme edhe ka kuadro të mira me përvojë edhe natyrisht që mund të jetë grua ose burrë, unë nuk e shoh asnjë problem”, tha Gaxherri.

Ndërsa për të me rëndësi është që zgjedhjet për kryetar vërtetojnë se LDK-ja është shumë hapa para partive tjera sa i përket aspektit të demokratizimit.

“Pa marrë parasysh edhe përplasjeve që i kemi pasur, të vogla e në nivele të ulëta të partisë, LDK-ja tashmë ka kaluar shumë hapa para partive tjera në aspektin e demokratizimit të partisë, dhe unë mendoj se kuvendi do ta kryej më së miri, dhe kushdo që i fiton votat do të jetë kryetar”, tha ajo duke theksuar se “Për mua cilido është i pranueshëm”.

E sa i përket aspektit të bashkëpunimit të LDK-së me partitë e tjera për një qeverisje të ardhshme, Gaxherri tha që sipas mendimit të saj “LDK-ja duhet të shkojë e vetme në zgjedhje”.

Por, nëse nevojitet një koalicion, Gaxherri e sheh Vetëvendosjen si opsionin e parë për një koalicion të së ardhmes.

“Sipas mendimit tim, aleatja ose partneri i parë që duhet ose mund të jetë është Vetëvendosja”, tha ajo duke ritheksuar se “në zgjedhje duhet të shkojmë si subjekt i vetëm”.

Exit mobile version