Site icon Telegrafi

Gavazaj mund të kthehet në Belgjikë, tri klube pas tij

Karriera e Enis Gavazajt do të vazhdojë në Belgjikë pasi ka interesim të madh të shfaqur nga klubet e Jupiler Pro League si Oostende, Charleroi, por dhe një tjetër klub, emri i të cilit nuk është bërë i ditur.

Djaloshi nga Prizreni ka qenë prej kohësh i vëzhguari special i klubeve nga liga të ndryshme evropiane, për një transferim që pritet të konkretizohet pas paraqitjeve të tij në edicionin e kaluar të Ligës së Eveopës, ku Gavazaj shënoi edhe në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve përballë Young Boys.

Me paraqitjet e bëra te Skënderbeu, 23-vjeçari është cilësuar prej kohësh si një prej xhevahireve të klubit korçar, për të vazhduar politikën e promovimit dhe më pas të shitjes së talentëve shqiptarë në skuadra të ndryshme evropiane.

Nëse do të transferohej te Oostende, Gavazaj do të bëhej blerja e dytë kuqezi, pas sulmuesit Sindrit Guri, me klubin që kërkon të luftojë për zonën e kupave të Evropës.

Ndërkohë, Charleroi e cilëson mesfushorin si një përforcim për edicionin e ri, pasi e mbylli kampionatin dhe fazën play-off në vendin e gjashtë, duke mos arritur të sigurojnë një biletë në ndeshjet ndërkombëtare.

Nëse transferimi do të realizohet, për Enis Gavazajn do të bëhet fjalë për një rikthim në Belgjikë, aty ku nga viti 2013 deri më 2016-ën djaloshi nga Prizreni mbrojti ngjyrat e Gent, ndërsa për një sezon u huazua te Roeselare, përpara se të rikthehej te Skënderbeu dhe t’i bindte të gjithë se është një lojtar i nivelit të lart. /Supersport/

Exit mobile version