Site icon Telegrafi

Gati për vrapin historik: Presidentja Osmani dorëzon flamurin e Kosovës, që do të valojë në Lojërat Paralimpike “Paris 2024”

Në ambientet e Presidencës së Kosovës, Presidentja e Republikës së Kosovës, Sh.S. Vjosa Osmani, i dorëzoi sot flamurin e shtetit të Republikës së Kosovës paraatletit Grevist Bytyqi, i cili do të përfaqësojë vendin në Lojërat Paralimpike “Paris 2024”.

Ky moment shënon një hap historik për sportin paralimpik në Kosovë, duke qenë hera e parë në histori që vendi përfaqësohet në këtë ngjarje madhështore ndërkombëtare.

Në këtë takim me delegacionin e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Presidentja Osmani shprehu entuziazmin dhe krenarinë për përfaqësimin dinjitoz të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Nëpërmjet dorëzimit të këtij flamuri, dua të tregoj mbështetjen e gjithë popullit të Kosovës për këtë përfaqësim. Të gjithë do të brohorasim për ty, të gjithë do të jemi me ty. Jemi krenarë që Kosova do të përfaqësohet në Lojërat Paralimpike,” theksoi Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani gjithashtu nënvizoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar, të cilin e konsideroi si një sukses historik për vendin që dha mundësi për këtë përfaqësim.

Nga ana tjetër, presidentja e KPK-së, Njomza Emini, shprehu falënderimet dhe krenarinë e saj për punën e palodhur të Komitetit dhe të gjithë atyre që kontribuuan, përfshirë trajnerin Adrianin, dhe gjithë të tjerët që bashkë arritëm deri tek ky moment i veçantë.

“Ky moment është fryt i përpjekjeve tona të përbashkëta, i betejave të fituara dhe mbi të gjitha, i besimit në vlerat që përfaqësojmë si lëvizje paralimpike,” u shpreh Emini.

Ajo shtoi se me Grevist Bytyqin, fillon një epokë e re për sportin paralimpik në vend, duke e cilësuar atë si pionier të një rrugëtimi të gjatë që do të ndjekin shumë paraatletë të tjerë në të ardhmen.

Ekipi i Kosovës, nën koordinimin e Komitetit Paralimpik të Kosovës, do të debutojë në Lojërat Paralimpike “Paris 2024”.

Exit mobile version