Telegrafi

Gati një e treta e zyrtarëve të qytetit të Moskës kanë ikur nga Rusia

Gati një e treta e zyrtarëve të qytetit të Moskës raportohet se janë larguar nga Rusia brenda një muaji, duke iu bashkuar një eksodi masiv të rusëve që kanë kërkuar t’i shpëtojnë urdhrit të mobilizimit të pjesshëm të presidentit rus, Vladimir Putin.

Punonjësit meshkuj u larguan masivisht nga disa prej departamenteve më të mëdha, duke përfshirë shërbimet e strehimit dhe komunale, kujdesin shëndetësor dhe arsimin, dhe specialistë të IT-së, raportoi gazeta lokale e lajmeve Nestka, duke cituar burime të njohura me situatën.

Shumë prej këtyre zyrtarëve thuhet se janë larguar pa dhënë dorëheqje zyrtarisht dhe pa njoftuar autoritetet përkatëse, ndërsa të tjerët janë larguar pa marrë gjësendet e tyre personale.

“Ata largohen duke lënë gjërat në vendin e punës”, tha një burim për gazetën, citon newsweek.

Putin njoftoi më 21 shtator se deri në 300 mijë rezervistë do të thirreshin për të luftuar në Ukrainë.

Në dy javët që pasuan dekretin e Putinit, më shumë se 370 mijë qytetarë u larguan në vendet fqinje, duke përfshirë Gjeorgjinë, Finlandën, Kazakstanin dhe Mongolinë për të shmangur rekrutimin.

Lajmi për largimin nga Moska vjen gjithashtu në më pak se dy javë që kur zyrtarët e qeverisë dhanë dorëheqje me shumicë pasi një koleg që ishte rekrutuar vdiq në Ukrainë. /Telegrafi/