Më shumë se 5.8 milionë zogj janë therur vitin e fundit për të frenuar shpërthimin më të keq të gripit të shpendëve në gati 20 vjet.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Autoriteti Holandez i Sigurisë së Ushqimit dhe Produkteve të Konsumatorit (NVWA) ka gjetur variantin H5N1 të gripit të shpendëve në 96 ferma shpendësh që kur u zbulua për herë të parë në Zeewolde më 26 tetor të vitit të kaluar.
Në Heythuysen, Limburg, 300,000 zogj do të duhej të “shkatërrohen” në shpërthimin më të madh në një vend të vetëm deri më tani, tha të enjten ministria e bujqësisë.
Andaj një zonë përjashtimi prej 10 kilometrash është ngritur rreth fermës së infektuar të shpendëve, duke ndaluar 128 fermerë të tjerë në zonë të shpërndajnë pleh organik, vezë dhe produkte të tjera shtazore.
Gjithsej 4.7 milionë zogj janë vrarë në fermat e infektuara, ndërsa 1.1 milion të tjerë janë shfarosur në përpjekje për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes.
Numri real është pothuajse me siguri më i lartë pasi NVWA nuk monitoron pronat e vogla me më pak se 50 kafshë.
Lloji H5N1 është i pranishëm në Evropë që nga viti 2005 dhe përhapet nga shpendët e egër.
Turistët dhe vendasit janë paralajmëruar të qëndrojnë larg zogjve të ngordhur.
Shpërthimi i fundit i krahasueshëm i gripit të shpendëve në Holandë ishte në vitin 2003, kur u vranë 30 milionë krijesa në 255 vende.
Qendra Evropiane për Parandalimin e Sëmundjeve thotë se shpërthimi aktual është më i keqi në historinë e kontinentit, duke përfshirë 37 vende nga Norvegjia në Ukrainë. /Telegrafi/