Telegrafi

Gati 14 vjet në pritje të drejtësisë, si ishin plagosur tre adoleshentët në një lokal në qendër të Prishtinës

Para afër 14 vjetëve, Argent Breznica, Brilant Krasniqi dhe Besart Hoxha ishin viktima të një përleshjeje me armë, në një lokal në qendër të Prishtinës. Të tre si adoleshentë të pafajshëm, do të plagoseshin rëndë, ndërsa kryerësit e këtij krimi sot e asaj dite nuk janë dënuar.

Nata e 26 gushtit 2009, për shkak të pasojave të përhershme në jetë, do të mbetet nata më e paharruar për tre adoleshentët Argentin, Brilantin dhe Besartin. Ata kishin pasur fatin të gjenden në një lokal, duke pësuar prej plumbave që do i merrnin nga gjuajtjet e dy grupeve që po tentonin me armë t’i qëronin hesapet mes vete.

Brilant Krasniqi, atë kohë 16-vjeçar ishte plagosur rëndë në këmbë dhe krahë, duke përjetuar vdekje klinike, pasi plumbi i kishte këputur arteriet. Pas dy operacioneve disa orëshe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ai do të dërgohej për shërim jashtë vendit. Deri më tash, ai iu ka nënshtruar mbi 15 operacioneve, ndërsa këmbën e majtë sot e asaj dite e ka të paralizuar.

Argent Breznica, aso kohe, 17-vjeçar, do të goditej nga plumbi afër zemrës, ku do i nënshtrohej dy operacioneve më rrezikshmëri të lartë për jetë. Për disa muaj ai do qëndronte në spital për trajtim.

Bashkë më Argentin dhe Brilantin do plagosej edhe i mituri Besart Hoxha, i cili do merrte dy plumba në të dyja këmbët.

Por si kishte ndodhur ngjarja kriminale dhe pse për mbi 13 vjet nuk ka drejtësi?

“Unë bashkë me Besartin dhe dy shokë tjerë kena shku në një lokal në qendër të Prishtinës më pi ka një pije. Sepse ishte fundi i pushimeve verore dhe më 1 shtator kemi pasur me ia nisë shkollës. Jemi ulur në një tavolinë ku në atë lokal janë kanë dikun edhe 100 të rinj  tjerë, të mitur krejt rreth moshës 15-16 vjeçare”, tregon Brilant Krasniqi, i dëmtuari në këtë rast, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Në atë natë ka ndodhë një gjuajtje me armë mes dy grupeve ku fatkeqësisht viktimë e asaj përleshje kam qenë edhe unë”, shton i dëmtuari Argent Breznica.

Besart Hoxha, i dëmtuar tjetër, Besar Hoxha thotë se ishte 16-vjeçar dhe se në lokal përleshja kishte filluar pasi diku 20 minuta pasi ishin futur në lokal.

Sipas të dëmtuarve, përleshja kishte ndodhur mes grupit të Bajram Musës, Florim Fazliut i njohur me nofkën “Xhapella” dhe Nuhi Sopa, i njohur me nofkën “Sapuni”, të tre këta kishin qenë se bashku në lokal, kur ishin bashkangjitur edhe grupi tjetër, Rinor Deshishku, Faton Hajdari, Fadil Feta si dhe i pranishëm kishte qenë edhe Fitim Morina.

Sipas Krasniqit, pas disa minutave ishte bashkangjitur grupi tjetër më Rinor Deshishkun, Faton Hajdarin, Fadil Feten dhe Fitm Morina dhe posa kishin parë personat mbrapa, kanë filluar të shtëna me armë, ku viktima ishin ata, tre të rinj të pafajshëm.

“Mas disa minutave kanë hy Rinor Deshishku me grupin e vet. Kanë fillu me gjuajt në drejtim të Xhapelles, Xhapella u kanë ul afër neve qaty nja nië metër dikun dy metra edhe t’u e gjuajt Xhapellen plumbat na kanë kap neve”, shprehet i dëmtuari Hoxha.

Tre të dëmtuarit thonë se plumbat i kanë marrë nga ana e majtë.

“Unë kam parë Rinor Deshishkun dhe Faton Hajdarin, duke gjuajtur në drejtim tonin”, ka thënë i dëmtuari Krasniqi.

I dëmtuari  Argent Breznica, thotë se mbanë në mend pozitën se si kishte qëndruar në lokal dhe se plumbat i kishin ardhur nga ana e majtë.

“Edhe e di që në atë rast, e di që unë jom kanë prej plagosurve t’parë t’fillimit se masi që unë jom plagosë ka pas edhe krisma tjera edhe ka pas shumë njerëz tu ik, tu bërtit, u konë, s’po di qysh me thonë, përnime u konë ngjarje tragjike. Edhe unë kom ra në tokë nuk e shifsha kërkon nuk i shifsha shokët e mi”, ka rrëfyer Breznica.

Ndërsa, Hoxha thotë së atë natë ishte plagosur në këmbën e majtë nën gju edhe në këmbën e djathtë.

Tre të plagosurit do kërkonin ndihmën e qytetarëve të rastit për t’u dërguar në spital. Argenti rrëfen se ai, për disa minuta, ndonëse i plagosur rëndë, kishte mbetur në rrugë, duke kërkuar ndihmë.

“Fatkeqësisht mu nuk merrke kërkush me m’hypë n’kerr me m’çu te mjeku. Kemi ndal shumë njerëz, e di se unë kom qëndru aty t’u pritë me m’marrë dikush me m’çu në spital. Taksistat jo ma bon kerrin me gjak, jo anena jo knena”, ka rrëfyer i plagosuri Breznica.

Ai tregon se ishte në gjendje të vështirë, derisa dikush e kishte futur në veturë dhe e kishte dërguar në spital.

“Plumi ku m’ka goditë mu u konë që thojnë “ai t’ka mbytë, po Zoti t’ka pshtu”, u konë shumë pozitë, është qitu pothuajse është me milimetra afër zemrës, po nafaka jeme, fati jemi i madh që, këto eshtrat që i kemi te gjoksi këtu edhe unë kom pshtu”, ka treguar Breznica.

“Kur jom plagosë, kom fillu edhe unë me ik si krejt se u bo aty njëfarë panike. Filluan njerëzit me ik, mu ka, mu ka ofru ndihma prej njerëzve që aty kanë qenë në lokal, kom hyp në taksi dhe me taksi kom shku në emergjencë”, ka thënë i dëmtuari tjetër Hoxha.

“Unë kam qenë në gjendje të vështirë, kam qenë në vdekje klinike dhe mjekët e emergjencës më kanë ringjallur. Unë nuk e mbaj mend shumë, e di që i kam dal një kerri përballë dhe ai më ka çu në spital, as nuk e njoh as se di kush u kanë”, është shprehur i plagosuri tjetër Brilant Krasniqi.

Të tre të dëmtuarit tregojnë për operacionet  dhe gjendjen e vështirë pas kësaj tragjedie që iu kishte ndodhur.

Argent Breznica, thotë se shërimi i tij ka zgjatë afër 3 muaj, ku kishte edhe disa intervenime me rrezikshmëri për jetë.

“Operacione i kom pas tri e kështu intervenime ditore, s’po di me thonë muna me thonë me qindra intervenime ditore”, është shprehur ai.

I plagosuri, Brilant Krasniqi, rrëfen se ka pasur dhjetëra operacione brenda e jashtë vendit, pasi gjendja e tij ishte e rëndë.

“M’u ka deshtë me hi urgjentisht në operacion, ku në atë operacionin e parë që ka zgjatur rreth 7 orë, është dashur të intervenohet urgjentisht për shkak se m’u plumbi ma ka këput nervin, arterien edhe venën, ku nga gjakderdhja e shumtë unë pothuajse kam qenë i vdekur. Dhe pasi operacioni i parë nuk ka pasur sukses për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore më është dashur të hi edhe në një operacion tjetër në QKUK, të nesërmen në mëngjes dhe është bërë një baypass ku mjekët për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore dhe infeksionit të cilin e kam marrur nga plumbi, mu më është dashur të shkoj urgjentisht për shërim jashtë vendit, në Turqi, ku kam qëndruar rreth dy muaj në intensivë, ku kam pasur edhe rreth 11 operacione tjera”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se në Turqi iu është hequr edhe një plumb nga dora.

Edhe Besart Hoxha, thotë se gjendja e tij ka qenë e rëndë, pasi kishte shumë gjakderdhje dhe se kishte rrezik për jetë. /Betimi për Drejtësi/