Site icon Telegrafi

Gastronomët ultimatum Qeverisë: Nëse për 7 ditë nuk plotësohen kërkesat tona do të rrisim kundërshtimet

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka reaguar pas propozimit për vendosjen e masave të reja anti-COVID-19 nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Ata me anë të një shkrimi në Facebook, kanë thënë se, nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen brenda një jave, atëherë sipas tyre do të rriten kundërshtimet dhe veprimet.

“Situata në sektorin e gastronomisë është jashtëzakonisht e rëndë. Andaj, nëse brenda afatit kohor prej shtatë (7) ditësh nuk merren parasysh kërkesat tona vitale, dhe nuk kemi asnjë konfirmim zyrtar për këtë çështje, ne do të rrisim kundërshtimet, veprimet, dhe reagimet tona”, thuhet në reagim.

Kryeministri Avdullah Hoti në një konferencë për media gjatë prezantimit të masave, ka thënë se deri në tre muaj mbyllje do të jetë ndëshkimi për bizneset që nuk respektojnë masat e reja anti-COVID-19.

Këto masa, do të shkojnë në Qeveri për miratim, nëse votohen atëherë pritet të hyjnë në fuqi nga dita e premte. /Telegrafi/

Exit mobile version