Shoqata e Gastronomeve të Kosovës më 27 korrik do të organizojë një aksion para Qeverisë së Kosovës, nëse kjo e fundit nuk i shqyrton kërkesat e tyre për orarin e punës, subvencionimin e pagesave e qirave e po ashtu të shtyhen afatet për kthim të kredive.
Gastronomet po ankohen se vendimet e Qeverisë për kufizim të orarit të punës po i dëmtojnë.
“Aksion simbolik: përkrahje për mbijetesë apo mbyllje e detyrueshme. Të ballafaquar me sfidat e pandemisë dhe pasojat e mbylljes tremujore te bizneseve tona; të ballafaquar me mospërkrahjen nga shteti, në radhë të parë për punëtorët tonë; të ballafaquar me rënie të fuqisë blerëse; të ballafaquar me presion ditor nga inspektoret; dhe të ballafaquar me kufizimet e orarit të punës”, thuhet në reagimin e tyre, përcjell Telegrafi.
Për këtë, shoqata ka paraqitur disa kërkesa të cilat i ka drejtuar Qeverisë së Kosovës për shqyrtim.
“Riprogramimin e kësteve të kredisë, lehtësira për qasje në financa; përkrahje për pagat dhe qiratë, së paku edhe për tre muaj; dhe shtyrje të deklarimeve të pagesave të tatimeve, së paku për tre muaj. Për të ngritur zërin tonë dhe kërkesat tona legjitime dhe të arsyeshme, më datën 27 Korrik, e hënë, do të organizohet aksion simbolik dhe mbyllje një orëshe e lokaleve tona dhe i dorëzojmë çelësat te Qeveria dhe Parlamenti i Republikës së Kosovës”, përfundon reagimi. /Telegrafi/