Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi, ka paralajmëruar protestë në rast se nuk do të përfillën kërkesat e tyre pas vështirësive të krijuara nga pandemia COVID-19.
Ai me anë të një shkrimi në Facebook, ka thënë se sektori i gastronomisë po përballet me falimentime dhe pasoja të pakthyeshme.
“Politika lë popullin në baltë. Ndërkohë që sytë janë drejtuar tek mesazhet nga Washingtoni, indiferenca e politikës para kolapsit të sektorit privat, që prej muajsh ka trokitur në pragun tonë, është shqetësuese. Gjendja në Kosovë, ku 59 për qind e personave në moshë pune nuk janë aktivë ekonomikisht, shpejt do të rëndohet në mënyrë drastike nëse drejtuesit e shtetit nuk marrin masa të menjëhershme”, ka shkruar Kllokoqi.
Sipas tij, nëse nuk merren parasysh kërkesat, do të ketë protesta.
“Hapi i radhës do të jetë protesta demokratike”, përfundon ai. /Telegrafi/