Telegrafi

Gastronomët e Kosovës këmbëngulin për zgjatje të orarit të punës

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës edhe njëherë i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hotit dhe ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj që të shfuqizoj vendimin për kufizimin e lëvizjes.

Shoqata bën thirrje që të zgjatet orari i punës për sektorin e gastronomisë deri në ora 00:00.

“Ne si shoqatë, me anë të kërkesave të anëtarëve tanë, bëjmë thirrje që vendimi aktual i Qeverisë së Republikës së Kosovës të shfuqizohet, dhe përveç kësaj natyrshëm kërkojmë edhe zgjatjen e orarit të punës për sektorin e gastronomisë deri në ora 00:00”, thuhet në kërkesën e tyre.

Sipas tyre, gjendja aktuale sa i përket këtij sektori është shqetësuese.

“Si rrjedhojë e masave të ushtruara nga ana e institucioneve të Kosovës, shumë biznese rrezikojnë të mbyllen nga pengesat që janë shkaktuar në afarizmin e tyre. Deri më tani nuk kemi pasur asnjë mbështetje të drejtpërdrejt ndaj bizneseve nga institucionet tona, por vetëm ndaj punëtorëve me anë të Pakos Emergjente, dhe kjo me shumë lëshime në zbatimin e saj”, vijon njoftimi. /Telegrafi/