Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se LDK zgjodhi Ministrinë e Brendshme për të balancuar përgjegjësinë me Vetëvendosjen.
Gashi, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se në LDK ka pasur dy rryma sa i përket negociatave me Vetëvendosjen, përcjell Telegrafi.
“Njëra rrymë ka qenë që të shkohet në rrugë radikale dhe se posti i presidentit i takon LDK-së ta propozojë dhe partneri i koalicionit duhet ta përkrahë në mënyrë absolute ta përkrahë. Dhe ka qenë rryma tjetër që kanë qenë shumica e cila ka thënë se kjo është çështje e formulimit gjuhësorë dhe ne duhet ta ndërtojmë një partneritet qeverisës dhe problemi që do të vijë brenda 12 muajsh në tavolinë të mos jetë problem që e rrëzon qeverinë. Pra të pajtohemi që LDK të ketë të drejtën e propozimit të presidentit me konfirmim nga Vetëvendosje”.
Deputeti i zgjedhur i LDK-së ka thënë se Vetëvendosje nuk i la alternativa shumë LDK-së për të zgjedhur ministri prandaj vendosën për Ministrinë e Punëve të Brendshme.
“Politika e jashtme është e lidhur direkt me kryeministrin. Qëndrimet politike te Albin Kurtit janë të lidhur kryesisht me politikën e jashtme dhe prandaj Ministrja e Jashtme automatikisht është menduar që të shkojë të Kurti. Financat lidhen me kryeministrin dhe gjithë lufta e tij ka qenë për të kontrolluar financat. Ja kemi lënë atij edhe Financat. Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik ia kemi lënë atij [Kurtit] sepse ka menduar që e drejton më mirë. Kanë vlerësuar se kanë pasur sukses ne shëndetësi në Komunë e Prishtinës, ia kemi lënë edhe Ministrinë e Shëndetësisë. A duhet të zgjedhim ne diçka?!”
Gashi ka thënë se në fushën e sigurisë kryeministri ka kompetenca të jashtëzakonshme përfshirë emërimin e shefit të AKI-së, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë e persona të tjerë më rëndësi prandaj sipas tij edhe LDK duhet të ketë ndonjë përgjegjësi në fushën e sigurisë./Telegrafi/