Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, gjatë intervistës për Telegrafin, ka thënë se rezultatet e testeve serologjike të cilat po bëhen në kryeqytet po dalin më të mira se që kanë pritur, ndërkaq thotë se këto teste po kryhen tashmë brenda ditës.
Gashi tha se deri më sot janë realizuar 9,000 teste serologjike, siç shtoi ai 4,500 qytetarë e kanë kryer testin, pasi çdo qytetar ka realizuar nga dy teste.
“Deri tani janë realizuar 9,000 testime, që i bjen 4,500 qytetarë kanë kryer testin, sepse çdo qytetar realizon dy testime. Rezultatet janë më të mira se që kemi pritur. Imuniteti i krijuar tek qytetarët është më i mirë se që e kemi pritur. Ka qytetarë të cilët e kanë pasur virusin COVID-19 dhe nuk e kanë ditur”, tha ai.
Gashi po ashtu tregoi se procedurat e bërjes së testit serologjik janë të thjeshta.
Sipas tij, qytetari duhet të lajmërohet në Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF) dhe mjeku i asaj qendre vendos nëse pacienti duhet të shkoj të kryej testin serologjik, apo jo.
“Procedurat janë shumë të thjeshta. Për testet serologjike qëllimi kryesor është hulumtimi dhe gjetja e përqindjes së qytetarëve sa e kanë kaluar COVID-19. Qytetari duhet të lajmërohet në Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF), në lagjen ku banon dhe mjeku i QMF-së e sheh të arsyeshme nëse duhet bërë testin apo jo. Nëse mjeku e sheh të arsyeshme i jep një udhëzim pacientit për të shkuar në QKMF. Shkon atje dhe futet në listë dhe menjëherë të nesërmen e realizon testin”, ka thënë ai.
Gashi theksoi se para një jave ka pasur listë të pritjes për kryerjen e testit serologjik, ndërsa, siç sqaroi ai, sot qytetarët mund të shkojnë brenda ditës ta kryejnë testimin.
“Deri në fund të javës së kaluar kemi pas një listë të pritjes. Mirëpo në fund të javës e kemi minimizuar deri në zero listën e pritjes. Tash qytetarët kanë mundësi që ta realizojnë testin brenda ditës. Në QKMF nuk bëhen testet. Fillimisht kemi pas Qendrën Studentore, aty kemi filluar dhe vazhdojmë si dhe në qendrat tjera si në QMF numër 5 në Dardani dhe Ulpianë dhe numër 2 në Kodër të Trimave”, ka thënë ndër të tjera, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi. /Telegrafi/