Telegrafi

​Gashi i reagon Kurtit: Kjo mënyrë e të menduarit është rrezik për Kosovën

Foto: Arkiv

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Arben Gashi deklaroi sot në Kuvend se sjellja e papërgjegjshme në raport me partnerët ndërkombëtarë shndërrohet në rrezik për Kosovën.

Gashi tha se kryeministri Albin Kurti nuk ka ide si t’i përmirësojë raportet me partnerët ndërkombëtarë, pasi sipas tij, qëllimin e ka te zgjedhjet lokale.

“Sjellja e papërgjegjshme në raport me partnerët ndërkombëtarë shndërrohet në rrezik për Kosovën, në rrezik për ekzistencën e Kosovës. Kjo mënyrë e të menduarit të kryeministrit Kurti është rrezik për Kosovën, po Kurti nuk e ka idenë dhe angazhimin e tij se si ta qeverisë Kosovën, se si t’i përmirësojë raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë, se si ta vendosë Kosovën në avantazh krahasues përballë partnerëve ndërkombëtarë. Po Kurti e ka qëllimin diku tjetër, atë që e deklaron në vazhdimësi se do të marrë 3/4 e komunave, ai është qëllimi i tij, nuk është qëllimi i tij për të mbrojtur Kosovën. Ky është problem substancial”, tha Gashi.

Ai tha se kryeministri Kurti duhet të tregojë qartë se cili është qëndrimi i tij për marrëveshjen e Uashingtonit.

“Kryeministrin po e thërrasim në një debat parlamentar për të treguar cili është qëndrimi dhe vlerësimi i tij, a dëshiron ta respektojë këtë marrëveshje, a donë ta zbatojë, nëse nuk donë ta zbatojë është e drejtë e tij, vetëm ia dërgon një letër presidentit të SHBA-së dhe i thotë që unë tërhiqem nga ajo marrëveshje, nuk e njoh, kaq është…Mos të mundohet të luajë me fjalë, se ai qenka rrezik për Amerikën, nuk është kurrfarë rreziku për askënd ai, hiç, ai veç mund të bëhet rrezik i përkohshëm për Kosovën, se as për Kosovën nuk e lënë të bëhet, nuk e lënë dhe nuk e lënë rrezik për Kosovën, ka qejf ta konsideroj veten sikur ai na qenka ndonjë personalitet i madh dhe rrezik për Amerikën, por jo – nuk është ai rrezik për askënd”, tha ai.