Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka kritikuar ashpër punën e Qeverisë Kurti, duke e cilësuar atë si të paaftë dhe të dështuar në të gjitha fushat.
“Kurti nuk e kemi parë si kryeministër që sjell përmirësim, por më shumë si drejtor ndërmarrjeje apo çerdhesh. Në ekonomi, shëndetësi dhe arsim, kjo qeveri ka dështuar plotësisht” tha Gashi.
Ai ironizoi duke thënë se i vetmi sukses i qeverisë është hartimi dhe miratimi i doracakëve për edukimin seksual, ndërsa premtimet për zhvillim ekonomik, ndërtimin e spitaleve dhe përmirësimin e kushteve të punëtorëve nuk janë realizuar.
“Kjo qeveri mund të kualifikohet si e paaftë dhe e dështuar, me shkelje të rënda kushtetuese. I vetmi sukses që ka pasur ka qenë hartimi dhe miratimi i doracakëve për edukimin seksual.” përfundoi Gashi.
Gashi dështim të plotë e konsideroi edhe politikën e jashtme, derisa tha se aleatët përmes sanksioneve i kanë vënë damkën e turpit kësaj qeverie.
“Fatkeqësisht bilanci i qeverisë aktuale në këtë fushë është dështim i plotë, asnjë njohje e re, asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare duke përfshirë UNESCO, INTERPOL, EURPOL, Këshillin e Evropës. Së treti sanksione nga BE dhe SHBA aleatët tanë më të rëndësishëm ja kanë vënë damkën kësaj qeverie, damkën e turpit duke i vendosur sanksione”, theksoi ai. /Telegrafi/