Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se kishim një qeveri që kishim ndërtuar me shpresë e besim, por si rezultat i gabimeve të qeverisë që po shkon, shpesa humbi.
“Tani çështja është si mund të qeverisim me një qeveri e cila duhet të ndërtojë shpresën. Por qeveria e re mos të shpresojë por të punojë shumë që ta kthej shpresën dhe ta ndërtoj zhvillimin.
Duke njohur kandidatin tonë Hoti dhe ministrat e LDK-së them se këtyre nuk ju duhet shumë shpresa duke ditur se secili do të bëjë punën më të mirë në fushën e tij”, ka thënë Gashi.
Gashi ka shtuar kjo qeveri duhet ta ketë të qartë përgjegjësinë që ka, jo vetëm në raport me krizën ekonomike.
“Nuk do të ketë mundësi të arsyetohet se ishte krizë e nuk mund të qeverisnim mirë. Krizën nuk do ta keni pretekst për dështim sepse ne nuk do t’ua pranojmë. Kjo qeveri duhet ta ketë parasysh elementin e mirëqeverisjes, nuk do të pranojmë asnjë lloj arsyetimi në rast se nuk kemi qeverisje të mirë”, u shpreh Gashi.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, shtoi se arsyet përse disa e shohin me dyshim qeverinë kanë të bëjnë me dy çështje se a do të rrezikohet ndarja e Kosovës dhe a do të vazhdoj kapja e shtetit.
“Marrëveshja me Serbinë, dialogu, njohja e ndërsjellë , kompetencat e Asociacionit këto janë çështje që duhet të diskutohen në Kuvend. Kjo qeveri dhe secila qeveri tjetër duhet ta dijë që negocion në emër tonin dhe popullit të Kosovës”, u shpreh Gashi.
Ai shtoi se kemi nevojë për negociator të fortë por edhe konsensus i brendshëm për këtë çështje.
“Tash nga pozicionet e opozitës VV e PDK besoj që do ta kenë më lehtë që të bisedojnë për këtë, dhe do ta kenë të hapur derën të kryeministri Hoti. Ne duhet të jemi bashkë në politikën e jashtme sepse kufijtë e Kosovës, territori i Kosovës janë çështje të popullit të Kosovës e popullin e përfaqësojmë ne këtu”, tha Gashi. /Telegrafi/