Kryetari i partisë “Alternativa” Afrim Gashi, pas përfundimit të procesit zgjedhor, në konferencë për shtyp tha se dita e sotme e zgjedhjeve për kryetar shteti ka qenë korrekte dhe demokratike.
Ai tha se që nga tani mund t’i urohet fitorja kandidatit Stevo Pendarovski, i cili është mbështetur edhe nga partia e tij, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Edhe raundi i parë edhe dita e sotme kanë kaluar në atmosferë demokratike dhe nuk janë regjistruar parregullsi të mëdha të cilat do të mund ta cenonin besueshmërinë e procesit zgjedhor. Nga informacionet e shtabeve tona lokale kemi informacione se Stevo Pendarovski është fitues dhe që tani mund t’ia urojmë”, tha mes tjerash Gashi.
Ndryshe, sipas informacioneve të KSHZ-së nga më shumë se gjysma e votave të numëruara, Stevo Pendarovski është në epërsi ndaj kundërkandidates Gordana Siljanovska./Telegrafi/