Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, në seancën e Kuvendit të enjten ka numëruar “tri skandalet” e Qeverisë Kurti të kësaj jave.
Para deputetëve, ai ka folur për zjarrin në Institutin e Mjekësisë Ligjore, duke hedhur dyshimet se rasti ka qenë i qëllimshëm.
Gashi është shprehur se ky zjarr mund të jetë shkaktuar për të zhdukur zhurmë dhe prova kriminale.
Këtu ai ka përmendur edhe deklaratën e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, se nuk është dëmtuar arkiva e as mostrat mortore.
“Sot i drejtohem këtij Kuvendi dhe qytetarëve të Kosovës për të vënë theksin në tri skandale qeverisëse gjatë një jave. Skandali i parë është shtyrja e regjistrimit të popullsisë dhe pronës për një kohë të caktuar. Skandali i dytë është djegia për herë të dytë e Institutit të Mjekësisë Ligjore, që për në vetvete jo vetëm që është skandal, por është një rast jashtëzakonisht i rëndë që s’mund të tolerohet. Nuk mund të tolerohet sepse bëhet fjalë për një Institut që ka për detyrë dhe funksion të merret me hulumtimin shkencor të rasteve të vdekjeve, vrasjeve, vdekjeve të dyshimta e të tjera”.
“E më e rëndë bëhet akoma kur kjo ndodhë për herë të dytë. Nëse e marrim dhe i shohim qëndrimet e Ministres së Drejtësisë e shohim që kjo situatë merr përmasa kriminale. Pra, Ministrja e Drejtësisë deklaron publikisht se nuk ka dëmtim të arkivës, nuk ka dëmtim të mostrave mortore që mbahen në këtë institut”, është shprehur shefi i deputetëve të LDK-së.
Ndërkohë, Gashi ka folur edhe për raportimet se në këtë zjarr janë djegur mustaqet e Adem Jasharit dhe gishti i Isa Boletinit.
“Ndërkohë në media rezulton se jo vetëm që ka dëmtim të arkivës, jo vetëm që ka dëmtim të mostrave, por ka dëmtim të mbetjeve mortore të komandantit Adem Jashari e komandantit tjetër Isa Boletini, e mos të flasim për raste të qytetarëve të tjerë, të cilat mund të kenë dhe përmbajtje të qëllimshme për zhdukjen e rasteve kriminale. Një qeveri që erdhi me flakë në pushtet, po djeget nga flakët e pushtetit”.
Gashi ka përmendur edhe rastin e pagës prej 7.500 euro për këshilltarin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Gani Jakupi, për të cilin tha se do të kërkojnë qasje në dokumentacion si dhe në aspektin politik kërkoi nga kryeministri që të japë sqarime. /Telegrafi/