Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi në një intervistë për Telegrafin me gazetarin Muhamet Hajrullahu ka folur për qeverisjen Haradinaj gjatë këtyre pesë muajve.
Gashi ka thënë se nuk është optimist sa i përket kësaj qeverie në zgjidhjen e problemeve që ka Kosova.
“Haradinaj ka vite që deklaron vullnetin e tij të madh që të punoj për ti zgjidhur çështjet e mëdha që i ka Kosova, shansin e ka, por nga kualiteti i mënyrës së sjelljes dhe qeverisjes nuk jam optimist.
Haradinaj në vazhdimësi e ka deklaruar vullnetin për të punuar për Kosovën, por nga shtatori deri tash nuk shohim ndonjë veprim konkret i cili ndikon pozitivisht në mënyrën e qeverisjes”, ka thënë Gashi.
Deputeti i LDK-së, tutje ka theksuar se nuk ka unitet brenda koalicionit qeverisës për zgjidhjen e çështjeve të mëdha.
“Nuk ka unitet për çështjet e mëdha në PAN. AAK e Nisma thonë se demarkacioni nuk duhet të kalojë kurse PDK thotë se po”, ka thënë Gashi, duke shtuar se demarkacioni duhet të zgjidhet sa më shpejt.
Gashi më tej theksoi se temë e madhe në vend është zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia e qytetarëve.
Ai u shpreh se Ligji për Prishtinën është një ligj koti në aspektin e ndryshimit.
“Ligji për Prishtinën nuk ka asgjë, është ligj kot në aspektin e ndryshimit. Nuk ka ndryshuar asgjë në Prishtinë, asgjë substanciale”, tha Gashi. /Telegrafi/