Telegrafi

Gashi: Nëse marrëveshja me Serbinë është e mirë, Qeveria do ta vendoste si “pikturë” në çdo shesh të Prishtinës

Analisti politik, Astrit Gashi, e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti, për mungesë të transparencës.

Gashi tha se është tejet nënçmuese për qytetarët e Kosovës, mënyra se si ka vendosur Qeveria të mos e publikojë draftin e Asociacionit të propozuar nga Bashkimi Evropian.

“Ambasadori Hovenier është dashur të lobojë që Kosova ta informojë publikun çka është nënshkruar. Publiku i Kosovës, asnjëherë në 20 vitet e fundit, nuk ka qenë më i nënçmuar dhe i poshtëruar se sot. Kryeministri del thotë e kam pranuar një plan që s’më ka pëlqyer, por ka qenë emergjenca kohore. Thotë nuk mund ta bëjë publik sepse më kanë thënë të mos e bëjë publik”, tha ai.

Gashi tha se marrëveshjet e kaluara për Asociacionin nuk ishin të mira, dhe se sipas tij, po ashtu edhe marrëveshja e fundit e këtij viti është e keqe për Kosovën.

Me ironi Gashi tha se po të ishte e mirë marrëveshja, Qeveria do ta kishte vendosur në kornizë si pikturë këtë marrëveshje dhe do ta shpërndante në secilin shesh të Prishtinës.

“Marrëveshjet e 2013 dhe 15 i kemi kundërshtuar se i kemi lexuar, marrëveshjen e 2023 nuk po e dimë. Po të ishte e mirë do ta kishin nxjerrë në ram, e kishin vendosur në kornizë, edhe pikturën e kishin vendosur në çdo shesh të Prishtinës, e keqe është. E kemi pranuar sepse nuk kemi pasur opsion mos me pranuar. A kemi arritur rezultat në dy vitet e fundit, s’kemi arritur për këtë, është përgjegjës Qeveria e Kosovës”, tha ai.

Lexo po ashtu Mushkolaj: Mospublikimi i draftit të Asociacionit shton dyshimet mbi të

Gashi tutje tha se liderët opozitarë janë poshtëruar nga emisari Mirosllav Lajçak, ku nuk ua ka dhënë dokumentin e marrëveshjes, por vetëm i ka lënë ta shohin atë.

“Janë poshtëruar së skajshmi liderët e opozitës, është e tmerrshme nga ta të thonë se ma dha Lajcaku me pa. Dikush thoshte e pashë, dikush s’e pashë. Po flisni për një dokument që e përcakton të ardhmen e këtij vendi, si mund të jesh i kënaqur që ua ka dhënë me lexu, i cili nuk është dokument i punës, e kuptoj dokumentin nuk e publikon, por dokumentin që është pranuar”, tha ai.

Tutje, ai tha se marrëveshja e fundit është e keq-negociuar, por që sipas tij, Kosova nuk ka pasur mundësi të tjera.

“2013 ka qenë marrëveshja e keqe, 2015 ka qenë marrëveshje e keqe, 2023 edhe pse po fshehët, është marrëveshje e keqe, e keq-negociuar. Ndoshta nuk i prodhon të keqe Kosovës, por është e keq-negociuar, e keqe ka qenë marrëveshje e Ohrit dhe e Brukselit. A duhemi ne me pranu a po jo, a kemi mundësi të daljes, janë çështje të tjera… S’po them që në nivelin e kryeministrit nuk e kisha pranuar, por s’mund ta quaj marrëveshje të mirë”, tha ai./RTV Dukagjini/